Bisedime paqeje SHBA–Iran në Islamabad, Teherani vendos kushte për marrëveshjen dhe armëpushim në Liban
Bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-së dhe Iranit kanë nisur në Pakistan. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters bisedimet janë trepalëshe, por ende nuk është e qartë nëse dy delegacionet ndodhen në të njëjtën dhomë. Është e mundur që ndërmjetësit pakistanezë po lëvizin ndërmjet dy palëve. Para nisjes së bisedimeve në Islamabad, kryetari i parlamentit të Iranit parashtroi dy kushte për një marrëveshje: armëpushim në Liban dhe lirimin e aseteve iraniane të ngrira. Sipas palës iraniane, të dyja këto masa ishin pjesë e marrëveshjes fillestare të arritur më herët këtë javë.
Nga detajet e zbardhura nga takim, raportohet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rënë dakord të zhbllokojnë një pjesë të fondeve iraniane të ngrira në Katar, pretendim që Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë.
Donald Trump tha se Irani nuk ka asnjë avantazh në tryezën e negociatave dhe këmbëngul se SHBA-ja do ta hapë Ngushticën e Hormuzit “shumë shpejt”. Ai gjithashtu tha se pengimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore përbën “99%” të përpjekjeve për marrëveshje.
“Nuk ka armë bërthamore, kjo është e para. E dini, mendoj se tashmë ka pasur ndryshim regjimi, por ne kurrë nuk e kemi pasur këtë si kriter. Asnjë armë bërthamore. Kjo është 99% e çështjes,” tha Donald Trump, President i SHBA-së.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, në një fjalim kombëtar mbrëmë, paraqiti rëndësinë e këtyre bisedimeve.
“Armëpushimi i përhershëm është faza tjetër e vështirë, që është zgjidhja e çështjeve të ndërlikuara përmes negociatave. Kjo, siç quhet në anglisht, është një fazë vendimtare – o bëhet, o prishet,” deklaroi Shehbaz Sharif, Kryeministër i Pakistanit.








