Bisedimet Kosovë-Serbi zhvendosen në Bruksel në nivel ekspertësh


Pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë, takimet mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdojnë sot dhe nesër në Bruksel në nivel të ekspertëve. Në rend dite janë çështja e të pagjeturve, çështja e të zhvendosurve dhe bashkëpunimi ekonomik. Nga ana tjetër marrëveshjen e firmosur një ditë më parë në Uashington, BE-ja e komentoi shkurt: “e marrin në dijeni këtë”, duke shtuar se presin vazhdimin e dialogut në Bruksel i cili ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirës dhe ligjërisht të obligueshme.

Marrëveshja e një dite më parë mes Kosovës dhe Serbisë ka nxitur reagime të ndryshme si në Kosovë ashtu edhe në rajon. Në Kosovë, oponentët politik me qëndrime të ndryshme. Presidenti Hashim Thaçi e ka përshëndetur marrëveshjen dhe ka shtuar se “Kosova i beson SHBA-së”. Marrëveshjen e ka përshëndetur edhe kryetari i AAK-së në pushtet, Ramush Haradinaj i cili para se të nënshkruhet, kishte mësuar se në të ishte përfshirë edhe Liqeni i Ujmanit, gjë të cilën ai e kundërshtoi dhe kërcënoi me largim nga qeveria. Por, më vonë marrëveshja u mbështet nga ai, pasi siç tha “nuk është përfshirë çështja e Liqenit të Ujmanit”.

Ashpër kanë reaguar nga opozita, por dhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, e cila mes tjerash shkruan se delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit premtimet ndaj qytetarëve siç janë: Njohja e ndërsjellë me Serbinë, Mos negociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani), Mospranimin e Mini-Shengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi), mos prekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë dhe çështje të tjera.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, thotë se me marrëveshjen në fjalë, kryeministri Abdulla Hoti dhe delegacioni i tij ka hequr dorë nga pavarësia e Kosovës, se kanë sjellë marrëveshje të dëmshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Ndërsa nga PDK opozitare thonë se përfaqësuesit e Kosovës e kanë humbur mundësinë për njohje të ndërsjellët të Kosovës dhe Serbisë.

Pjesë e reagimeve ka qenë edhe vetë presidenti serb, Aleksandar Vuçiç. Ai ka shkruar se Serbia nuk ka nënshkruar marrëveshje me Kosovën por me SHBA-në. Mirëpo më pas i është kundërpërgjigjur i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Riçard Grenell i cili mes tjerash ka thënë se Kosova dhe Serbia nuk kanë nënshkruar asgjë me SHBA-në.

Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë e kanë përshëndetur edhe liderët tjerë të rajonit. Ndër te tjera në marrëveshje përfshihet se të dyja palët do të zbatojnë marrëveshjen për autostradën Prishtinë-Beograd, për hekurudhën, Kosova të jetë pjesë e Mini-shengenit Ballkanit, se të dyja palët do të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe subjekte të tjera të qeverisë së SHBA-ve në një studim të fizibilitetit për qëllimet e ndarjes së Liqenit së Gazivodës/Ujmanit, si burim i besueshëm i ujit dhe energjisë e të tjerë.

Mefail Isamili

LEXO EDHE:

Back to top button