Biznesi mbështet reformën në arsimin e lartë, kërkohen kuadro me shkathtësi praktike

Gazetare: Melihate Rustemi

Propozim ligji për arsimin e lartë tashmë ka hyrë në procedurë qeveritare, duke hapur rrugën për një reformë që autoritetet e cilësojnë si afatgjatë dhe thelbësore për zhvillimin e sistemit të lartë arsimor. Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, theksoi se efektet e reformës nuk do të jenë të menjëhershme. Siç tha ajo, kulmi i reformës pritet të arrihet pas tetë vitesh. Janevska shprehu bindjen se brenda kësaj periudhe, universitetet në vend mund të renditen mes një mijë më të mirave në Listën e Shangait.

“Procesi i arritjes së fuqisë së tij të plotë do të zgjasë. Efektet do të fillojmë t’i ndiejmë pas tre deri në katër vjet, ndërsa kulmin do ta arrijmë pas tetë vitesh. Megjithatë, më e rëndësishmja ishte fillimi i kësaj reforme, e cila për shumë vite me radhë nuk ishte fare temë diskutimi, as në komunitetin akademik dhe as në strukturat politike përgjegjëse. Jam e bindur se brenda periudhës tetëvjeçare, ne do të gjendemi në mesin e 1000 universiteteve të para në Listën e Shangait”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit.

 Ndryshimi i Ligjit për Arsim të Lartë po mirëpritet me kërkesa të qarta edhe nga Oda Ekonomike. Branko Azeski tha se prioritet mbetet prodhimi i kuadrove me shkathtësi praktike, pasi mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po kthehet në pengesën kryesore për biznesin.

“Problemi ynë më i madh është mungesa e fuqisë punëtore. Ajo fuqi punëtore është baza e procesit të punës, gjithçka tjetër do të ishin vetëm mure të zhveshura. Ky është një moment që duhet ta mbështesë i gjithë shteti. Nuk bëhet fjalë për ndryshim të modelit që kemi parë në të kaluarën, por për diçka tektonike ku nevoja e biznesit do të jetë fuqishëm e shprehur, në mënyrë që njerëzit e përgatitur me ato shkathtësi të mund të absorbohen dhe të përfshihen menjëherë në procesin e punës”, theksoi Branko Azeski, kryetar i Odës Ekonomike.

Pasi të kaloj filtrat qeveritarë, propozim Ligji për Arsimin e Lartë duhet të kaloj në procedurë parlamentare, ku pritet të hapet debat mbi autonominë universitare dhe kriteret e reja të avancimit akademik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button