Bliken e Lavrov bisedojnë për Ukrainën
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken takon homologun e tij rus, Segeri Lavrov, në Gjenevë të Zvicrës. Zyrtarët e lartë të Uashingtonit dhe Moskës po bëjnë përpjekje për të lehtësuar tensionet mes shqetësimeve se Rusia do ta pushtojë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve për pasoja të rënda.
Bisedimet në qytetin zviceran ndërmjet diplomatëve të lartë, pasojnë një stuhi diplomacie në javët e fundit, që nuk ka arritur të kapërcejë ndarjet e thella ndërmjet Moskës dhe Perëndimit, për çështjet e sigurisë në Evropën Lindore. Shtetet e Bashkuara nuk presin t’i zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre me Rusinë për Ukrainën në bisedimet në Gjenevë, por presin të shohin nëse diplomacia mbetet një opsion i zbatueshëm, tha Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, pas mbërritjes në takim.
“Unë shpresoj dhe pres që ne të mund të shohim nëse rruga e diplomacisë, e dialogut, mbetet e hapur. Ne jemi të përkushtuar për të ecur në atë rrugë, për t’i zgjidhur dallimet tona në mënyrë paqësore”, tha Blinken në fjalën e hapjes për bisedimet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Rusia dëshiron “tërheqjen e forcave të huaja, pajisjeve dhe armëve” nga vendet që nuk ishin anëtare të NATO-s para vitit 1997, duke përfshirë Bullgarinë dhe Rumaninë, tha ministria e Jashtme ruse përpara takimit. Rusia ka grumbulluar më shumë se 100,000 trupa në Krime dhe pranë kufijve të Ukrainës, duke ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore se Moska po përgatit veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës./Alsat.mk







