Blinkeni takohet me Netanyahun në Jerusalem
Blinkeni takohet me Netanyahun në Jerusalem
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, është takuar të hënën në Jerusalem me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Më herët të hënën, Blinkeni ka deklaruar gjatë takimit me presidentin izraelit, Isaac Herzog në Tel Aviv, se është koha që të arrihet një marrëveshje e armëpushimit, e cila do t’i kthente pengjet që po mbahen nga Hamasi, dhe që do të sillte qetësi për civilët palestinezë, raporton AP.
Ky është udhëtimi i tij i nëntë në Lindjen e Mesme, që kur ka nisur konflikti në Gaza, në tetor të vitit të kaluar.
Blinkeni ka thënë se tani është mundësia “ndoshta më e mira dhe e fundit” për të arritur një marrëveshje që do t’u jepte fund luftimeve.
Edhe ndërmjetësuesit pritet të takohen këtë javë në Kajro për të bërë përpjekje që të arrihet një marrëveshje.
Më vonë të hënën, Blinkeni do të takohet edhe me ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, ndërkaq të martën do të udhëtojë për në Egjipt.