Bllokohet anija me 22 mijë e 500 tonë naftë, dyshohet se është marrë nga Rusia

Bllokohet anija me 22 mijë e 500 tonë naftë, dyshohet se është marrë nga Rusia

Policia e Shtetit, sot informoi se në Durrës u bllokua një anije me flamur liberian, që transportonte 22 mijë e 500 tonë naftë.

Dyshohet se ngarkesa e naftës është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia.

Sipas Policisë, operacioni është në vijim, për goditjen e futjes në Shqipëri, të naftës kontrabandë që vjen nga Rusia.

“Strukturat policore që operojnë në Durrës, veçanërisht Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Durres, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara muajt e fundit, me qëllim goditjen e kontrabandimit të naftës që vjen nga Libia e vende të tjera, kanë siguruar në vijimësi, përmes inteligjencës informative, informacione për një anije me flamur liberian që do të kontrabandonte një sasi shumë të madhe nafte. Bazuar në këto informacione është organizuar dhe është në vijim operacioni policor i koduar “Embargo”, në kuadër të të cilit është bllokuar një anije me flamur liberian, e cila transportonte 22 500 tonë naftë, me dokumentacion të falsifikuar, që do të kontrabandohej në Shqipëri. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se kjo ngarkesë nafte është marrë nga vendet me embargo për naftën, konkretisht nga Rusia. Anija ishte nisur nga Azerbajxhani dhe pretendohet se më pas është ngarkuar me naftë në portin Kallamata, Greqi, nga një anije tjetër, në një sasi prej 22 500 tonë lëndë djegëse naftë.”, ka bërë të ditur Policia.

Sipas njoftimit, po vazhdojnë hetimet lidhur me këtë rast.

“Në vijim të veprimeve, bazuar në dyshime të arsyeshme se kjo sasi nafte e kishte origjinën nga vendet me embargo dhe ishte e kontrabanduar, pasi nuk disponohej dokumentacion i rregullt, u bë sekuestrimi i saj dhe i dokumentacionit të lundrimit të kapitenit, si dhe bllokimi i ekuipazhit që përbëhej nga 22 shtetas, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet e thelluara, me qëllim dokumentimin sa më të plotë të kësaj veprimtarie të kunndërligjshme dhe për identifikimin e shtetasve të përfshirë në këtë veprimtari, si persona fizikë apo juridikë.”, është bërë e ditur tutje nga Policia e Shtetit.

LEXO EDHE:

Back to top button