Bllokohet Gjykata Kushtetuese? Ligji për gjuhët mbetet pezull
Gjuha shqipe do të vazhdojë të mbetet peng i vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese. Pas largimit të Goce Naumovskit, Kushtetuesja mbeti me 7 gjykatës, numër që nuk plotëson formatin e plotë prej 9 gjykatësve si kusht për hapjen e lëndës që daton nga viti 2019. Konkluzioni që është sjell mbi këtë iniciativë e që parashikon shqyrtimin e Ligjit të gjuhëve me format të plotë, duket se do të mbetet ide që vështirë mund të zbatohet.
Gjykata Kushtetuese u gjet pa gjykatësin e dytë derisa po priste vullnetin e Kuvendit që propozim të Këshillit Gjyqësor të zgjidhte Meri Dika Gjorgjievskan për gjykatëse, vendim ky i miratuam në këshill më 25 mars, ndërsa në seancën e 97 të Kuvendit ka mbetur si pikë “E pashqyrtuar”. (Foto 1 dhe foto 2) Përgjigja fundit e shumicës në Kuvend ishte se nuk kanë qëndrim të unifikuar për propozimin e Meri Dika Gjorgjievskas dhe për këtë arsye nuk dihet se kur do të vazhdohet ajo seancë dhe mbi gjitha nëse do të kalon ose jo emri i saj në Kuvend.
Në gjykatë pa u shqyrtuar ka mbetur edhe nisma e partisë E Majta mbi reklamimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa gjykata një ditë më parë njoftoi se për këtë lëndë nuk u votua pikërisht për shkak se ka munguar gjykatësi Goce Naumovski. Largimi i tij erdhi vetëm 5 muaj pasi u zgjodh. Në arsyetimin e dorëheqjes së deponuar në Kuvend ka deklaruar se aktin e ndërmerr për arsye personale dhe profesionale. Dorëheqja e tij do të konstatohet në seancën e parë të radhës.
Procedura për zgjedhjen e gjykatësi të ri dhe nëse bie edhe emri i Meri Dika Gjorgjievskas do të zgjasë së paku deri në fund të vitit, kur duhet publikuar konkursi i ri, të paraqiten kandidatët, të filtrohen nga Këshilli Gjyqësor dhe në fund të kalojnë në Kuvend. Në fillim të vitit 2027 i përfundon mandati edhe anëtarit Osman Kadriu. /Alsat.mk








