Bogoev: Kornizë më të mirë negociuese, lajm i rremë
Bogoev: Kornizë më të mirë negociuese, lajm i rremë

Nënkryetari i LSDM-së, Stefan Bogev thotë se partia e tij është e gatshme t’ia japë ministritë e saj opozitës, nëse VMRO-DPMNE-ja mbështetë ndryshimet kushtetuese. Bogoev në një intervistë për Alsat thotë se shteti duhet të ecë para pa marrë parasysh nëse kjo ndikon edhe në rejtingun e partisë. Sipas tij ka sinjale pozitive nga deputetë të partisë së Mickoskit dhe u bëri thirrje të marrin vendime të mençura në seancën plenare të caktuar për të premten.
Cilat janë pritshmëritë tuaja, nga partia në pushtet LSDM për mënyrën se si do të veprojë opozita, nëse do të marrë pjesë në debat, nëse do të jetë e pranishme në sallë dhe a do të jetë produktive në këtë debat?
Ne kemi pritshmëri nga të gjithë 120 deputetët, jo vetëm nga opozita, sepse tani është moment historik dhe e shihni se të gjithë përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por edhe ambasadorja amerikane në Maqedoni, të gjithë thonë se nuk mund të ketë marrëveshje më të mirë dhe kornizë më të mirë negociuese se kjo, përkatësisht, të gjithë ata që thotë se mund të ketë, ato janë lajme të rreme dhe jo të vërteta ajo që thonë. Prandaj, nëse kjo është marrëveshja më e mirë që mund të kemi, nëse kjo është e vetmja kornizë negociuese që mund të kemi, është e logjikshme t’i merrni parasysh ato fakte dhe si politikanë të merrni vendime logjike dhe të mençura për të ardhmen e shtetit dhe të qytetarëve. Prej këtu, presim që 120 deputetë të jenë në lartësinë e detyrës që u është besuar nga qytetarët që të mendojnë për të ardhmen, të mendojnë për të ardhmen e Maqedonisë dhe të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Pse? T’i hapim menjëherë kapitujt, hapja e kapitujve nënkupton hapje e fondeve që shkojnë në qindra miliona euro, fonde bujqësore, fonde infrastrukturore për spitale të reja, shkolla, reforma shumë të rëndësishme në drejtësi dhe në prokurori.
Tani për tani, në opinion nuk shohim lëvizje nga qëndrimet e opozitës në lidhje me ndryshimet kushtetuese, të cilat janë rreziqet e mundshme në raport me shtetin dhe shoqërinë?
Do ishte ideale që procedura për ndryshimet kushtetuese të përfundojë menjëherë, sepse në nëntor përfundon skriningu dhe të hapen kapitujt menjëherë për të mos humbur kohë. Ne kemi humbur tashmë 30 vjet e më shumë si shtet dhe nuk duhet të humbim më kohë. Ky është skenari ideal. Një tjetër skenar logjik është i mundur deri në fund të mandatit të kuvendit. Pse, sepse ndryshimet kushtetuese të hapura si procedurë gjatë mandatit të një përbërje parlamentare patjetër të përfundojnë në atë mandat pozitivisht ose negativisht. Përkatësisht nuk mund të vendosë për amendamentet kushtetuese të hapura gjatë këtij mandati, mandati i ardhshëm i Kuvendit, kjo është gjithashtu shumë e rëndësishme. Mendoj se është mjaft e qartë për fat të keq, çfarë do të thotë nëse nuk kalojnë ndryshimet kushtetuese, sërish izolim, do të kthehemi në atë që pamë për 11 vjet nën regjimin e Nikolla Gruevskit, një vend në grindje me fqinjët, një vend pa të ardhme, pa perspektivë, shtet prej të cilit të rinjtë ikin dhe shpërngulen, ndërsa të moshuarit të dëshpëruar dhe të frikësuar shkojnë të nxjerrin pasaporta bullgare.
Paralajmërimet e zyrtarëve nga pushteti ishin se do të ketë takime individuale me deputetë të opozitës. A ka takime të tilla formale dhe joformale?
Diskutohet rregullisht në Kuvend edhe me deputetë. Ka sinjale pozitive nga disa deputetë, ka sinjale pozitive edhe nga një pjesë e lidershipit dhe krerëve të VMRO-DPMNE-së. Më vjen keq që Mickoski doli me një qëndrim mjaft optimist pas mbledhjes së liderëve, ne i lëshojmë disa ministri që të hyjnë në qeveri, BDI dhe Aleanca i lëshuan, pajtohemi për zgjedhje menjëherë pas përfundimit të ndryshimeve kushtetuese. Thjeshtë, ne i plotësuam të gjitha kërkesat e Mickovskit dhe VMRO-DPMNE-së, vetëm mos e pengojnë të ardhmen e vendit dhe të votojnë që Maqedonia të vazhdojë rrugën për të bëhet anëtare e BE-së deri në vitin 2030. Fatkeqësisht, pas kthimit nga takimi i liderëve, pas asaj konference pozitive për media nga Mickoski kishte ndryshim të qëndrimeve dhe supozoj se krahu më radikal në parti ka arritur ta dekurajojë dhe ta kthejë në konceptin e izolimit të shtetit.
Vetëm një nënpyetje, thatë se ne lëshojmë vende ministrash, edhe BDI edhe LSDM. Më konkretisht, cilat ministri i lëshoni VMRO-së?
Nuk jemi të preokupuar me atë se cilat poste ministrore do i lëshonim, pse, sepse të gjithë ministrat dhe drejtorët dhe funksionarët nuk jemi të preokupuar me personalen sepse këtu bëhet fjalë për shtetin. Edhe unë personalisht si drejtor i Drejtorisë së doganave nuk jam aspak i preokupuar me postin tim, lirisht le ta marrin nëse kjo do të thotë që do të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Për ne me rëndësi është shteti të ecë përpara, madje edhe me çmimin e pozicioneve tona dhe me çmimin e rejtingut tonë, sepse këtë ua kemi borxh qytetarëve. /ALSAT.MK