Bojko Borisov përfundoi prapa grilave
Gazetar: Luka Andreev
Autoritetet në Sofje thonë se çështja kundër Borisovit dhe të dyshuarve të tjerë ka filluar pas një raportimi nga biznesmeni Vasill Boshkov për zhvatje prej 30 milion eurove. Mediat bullgare e lidhin ngjarjen me fotografitë nga shtëpia e Borisovit, të publikuara rreth dy vjet më parë, ku tregoheshin armë dhe një sasi e madhe e parave në dhomën e tij të gjumit. Kryeministri Kirill Petkov thotë se askush nuk është mbi ligjin dhe akuzoi prokurorinë bullgare se deri më tani nuk ka marrë masa, shkruan Alsat.
“Derisa Prokuroria evropiane kontrollon, është koha që Prokuroria bullgare të bëjë punën e saj dhe të qëndrojë pranë popullit. Mendoj se të gjithë e dimë se ka raporte që padyshim nuk i shqyrton Prokuroria. Tani, shpresoj se ata më në fund e dinë se cili është roli i tyre”, tha Kirill Petkov- kryeministër i Bullgarisë
Shefi aktual i Prokurorisë bullgare, Ivan Geshev, konsiderohet bashkëpunëtor i ngushtë i Borisovit. Biznesmeni Boshkov, pas dëshmisë së të cilit është iniciuar rasti, ka thënë se prokurorët e Sofjes nuk kanë marrë asgjë, andaj ka kontaktuar me Prokurorinë evropiane. Arrestimi i Borisovit përputhet me vizitën e djeshme në Sofje të kryeprokurores evropiane, Laura Kovesi.
“Qeveria do të jetë pikë kontakti me Prokurorinë evropiane dhe ky është sinjal i qartë i angazhimit të fortë në nivelin më të lartë. Kjo është në përputhje me atë që Zyra e Prokurorit Publik Evropian po përpiqet të arrijë në të gjitha shtetet anëtare”, tha Llaura Kovesi- kryetare e Prokurorisë evropiane
Partia e Borisovit akuzon se rasti paraqet represion klasik ndaj kundërshtarëve politikë.
“Qeveria e re, pas buzëqeshjes, tani ka treguar fytyrën e saj të vërtetë, duke u hakmarrë dhe duke treguar dhëmbë”, tha Tomisllav Donçev- zyrtar në partinë GERB
Mbështetësit e GERB kanë protestuar sot para Qeverisë duke kërkuar dorëheqje. Ky rast ka shkaktuar përplasje mes deputetëve në Kuvend. /Alsat.mk








