Gazetar Bashkim Sulejmani
BDI akuzon kreun e Komunës së Tetovës Bilall Kasamin për fshehjen e borxhit të Komunës. Integristët thonë se borxhi i Komunës nuk është tre, por mbi 31 milion euro. Ata kërkojnë që Komuna t’i shpalos dokumentet zyrtare për borxhin real.
“sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, për tre mujorin e dytë të vitit 2026, detyrimet e raportuara ishin afër 23 milion euro. Sipas informatave tona, rreth 8 milion euro të paevidentuara me çka borxhi i përgjithshëm i komunës së Tetovës, rezulton të jetë mbi 31 milion euro. Kërkojmë publikimin e pasqyrës së plotë dhe detyrimeve që mbështesin deklaratën e kryetarit. Transparenca buxhetore është detyrim ligjor dhe fshehja e tyre dhe paraqitja e të dhënave të rreme në dokumente zyrtare është vepër penale, sipas Nenit 361 të KP me dënim deri në pesë vjet burg”, deklaroi Arbresha Neziri, BDI.
Pohimet e integristëve u hodhën poshtë nga Komuna e Tetovës. Kasami tha se borxhi i Komunës është zvogëluar në tre milion euro, ndërsa për dy muaj, sipas tij edhe ky borxh pritet të paguhet.
“Komuna nga një borxh të deklaruar në fillim prej 15 milion euro, vetëm komuna flasim, por me kamata dënimi që kemi paguar ka shkuar diku 20 milion euro, të njëjtin kemi arritur ta ulim në tre milion dhe po punojmë intenzivisht që për dy tre muajt e ardhshëm, këto dy tre milion që i kemi ti paguajmë, dhe përfundimisht komuna e Tetovës të ketë likuiditet financiar”, U shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami kërkoi nga qytetarët që t’i shlyejnë obligimet e tyre për tatimin në pronë për vitin 2024/2025 me qëllim që të mos përfundojnë në përmbarues./ALSAT.MK








