Borxhi i papaguar, banorët e Haraçinës pa ujë për pije

Borxhi i papaguar, banorët e Haraçinës pa ujë për pije

Gazetar: Mefail Ismaili

Borxhi i madh ndaj EVN për mospagesën e faturave të rrymës nga ana e ujësjellësit në Haraçinë, vazhdon të lë banorët e kësaj komune përsëri pa ujë të pijshëm. Banorët shprehen të shqetësuar nga situata. Ata thonë se problemi i vazhdueshëm me ujin e pijshëm i kthen në mesjetë.

“Kanë be njerëzit ujë, kanë bunare… S’janë varur nga ky ujë, tashmë 20 vite nuk ka pasur… dikush ka, ai që nuk ka, paguan me para, çfarë të bëjë”.

“Shumë vështirë pa ujë, por mirë që po na pyetni ju, faleminderit shumë, por ato nuk po kujtojnë për ne. Nuk e di tash, ndoshta nuk ka pagesë sa duhet… Pa ujë është shumë vështirë për një familje. Me ujë jetohet, shumë vështirë është sepse duhet të shkosh diku të mbushësh me ndonjë veturë, dikush nuk ka veturë”.

“Problemi tek vet fshatarët, duhet të çohemi ne vetë. Nuk ka rrymë atje ku është uji. Ne e paguajmë ujin po ku e di çka bëjnë”.

“Mbushim nëpër çezme diku jashtë fshatit… Haraçina ashtu është pa ujë, pa ujë ne gjithmonë kemi qenë… ka që nuk paguajnë, shumica nuk paguajnë hiç, 80% nuk paguajnë hiç. Paguanim vetëm 180 shtëpi a Haraçina është 4 000 shtëpi, ose 3 000 shtëpi”.

Të qetë nga mungesa e ujit janë vetëm ata banorë që kanë pasur mundësi të investojnë në ndërtimin e bunarëve.

“Unë kam në shtëpi se kam hapur dy bunara, ujësjellës nuk kam, sepse ujësjellësi vjen prej Belin Begi atje poshtë është pompa, njerëzit atje mbjellin gjëra, e shpojnë tubin atje dhe nuk kanë ujë”.

Kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibraimi thotë se problemi me ujin e pijshëm do të zgjasë deri sa të arrijnë marrëveshje me EVN-në, për ta paguar borxhin në këste të përballueshme për buxhetin e Komunës.

“Edhe pse më kanë ofruar në disa këste, por ato këste janë të papërballueshme, kam kërkuar në një far forme të më lehtësohet ajo barrë financiare, që gjithsesi jam i interesuar që të ofrojë, por aq sa mundem, se edhe në të kaluarën ka ndodh marrëveshja, në vitin 2020 dhe 2021 ka pasur marrëveshje por nuk i janë përmbajtur asaj marrëveshje”, tha Ridvan Ibraimi, kryetar i Komunës së Haraçinës.

Sipas Ibraimit, ofertën për pagesën të cilën e ka bërë EVN, është e papërballueshme andaj lutet për mirëkuptim me qëllim që të gjendet zgjidhje e përhershme dhe jo afatshkurtër. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button