Botuesi gjerman, Springer, thotë se gazetarët mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale

Botuesi gjerman, Springer, thotë se gazetarët mund të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale

Gazetarët janë në rrezik që të zëvendësohen nga sistemet e inteligjencës artificiale si “ChatGPT”, sipas shefit ekzekutiv të një grupi gjerman të medieve, Axel Springer.

Njoftimi u bë në kohën kur botuesi po mundohet që t’i shtojë të hyrat nga shitja e gazetave “Bild” dhe “Die Welt” dhe në kohën e tranzicionit për t’u bërë “kompani plotësisht digjitale e medieve”. Kompania tha se në horizont ndodhet pakësimi i vendeve të punës, sepse automatizimi dhe inteligjenca artificiale gjithnjë më shumë janë duke i bërë të panevojshme shumë prej vendeve të punës që e mbështetin prodhimin e gazetarisë së tyre.

“Inteligjenca artificiale e ka potencialin për të bërë gazetari të pavarur më mirë se kurrë më parë – ose thjeshtë për ta zëvendësuar atë”- tha shefi ekzekutiv, Mathias Doepfner, në një letër të brendshme që ua ka dërguar punëtorëve, raporton gazeta “The Guardian”.

Mjetet e inteligjencës artificiale, si tashmë i famshmi “ChatGPT”, premtojnë një revolucion në informim, tha ai, dhe se së shpejti do të jenë më të mira në grumbullimin e informatave se gazetarët.

Axel Springer nuk saktësoi se sa punëtorë të stafit të kompanisë së tij mund të mbeten pa punë, por premtoi se nuk do të ketë zvogëlim të numrit të “reporterëve, autorëve ose redaktorëve specialistë”.

Në letrën e tij dërguar stafit, Doepfner-i tha se mediet duhet të përqendrohen në gazetari hulumtuese dhe në trajtesa origjinale.

Springer-i nuk është botuesi i parë i gazetave që e përmend shfrytëzimin e inteligjencës artificiale për gazetari. Edhe botuesit e gazetave britanike, “Daily Mirror” dhe “Daily Express” janë duke e eksploruar përdorimin e inteligjencës artificiale.

Që nga fillimi i vënies në funksion, në nëntorin e vitit të kaluar, “ChatGPT”-ja ka grumbulluar më shumë se 100 milionë përdorues. Ky program mund të shkruajë tekste shumë të sofistikuara nga të dhënat e thjeshta që i jepen prej përdoruesve. /nacionale

LEXO EDHE:

Back to top button