BP: Ky vit do të mbyllet me inflacion prej 14.3 për qind

BP: Ky vit do të mbyllet me inflacion prej 14.3 për qind

Gazetar: Ardit Ramadani

Inflacioni do të vazhdojë të rritet edhe për pak muaj, ndërkohë që kursi i zbutjes së tij pritet të ndodhë pas të paktën tre muajsh. Sipas parashikimeve që bëri sot Banka Popullore (BP), edhe rritja ekonomike pritet të jetë më e ulët në krahasim me parashikimet për vitin që po mbyllet. Duke marrë në konsideratë ecurinë e faktorëve ekonomikë në këtë tremujor, Banka Popullore thotë se vitin do ta përmbyllim me një inflacion prej 14,3%.

“Projeksionet e vjeshtës së Bankës Popullore tregojnë se këtë vit do ta përmbyllim me inflacion prej 14,3%, vitin e ardhshëm pritet ulje graduale e nivelit deri në 8 ose 9%. Në periudhën tjetër, inflacioni do të ulet, në 2,4 për qind gjatë vitit 2024 dhe në 2% në vitin 2025”, deklaroi Anita Angellovska Bezhovska, guvernatore e Bankës Popullore.

Banka Popullore rendit dy skenarë të Prodhimit Bruto Vendor. Shkalla e rritjes ekonomike për këtë vit do të ishte 2.3 për qind, ndërsa skenari i dytë është se mund të jetë vetëm 2 për qind me çka do ta ngadalësonte zhvillimin për 1.8 për qind vitin tjetër. Pritet rimëkëmbje e Prodhimit Bruto Vendor në 3.6 për qind në vitin 2024 dhe në 4 për qind në vitin 2025.

“Rreziqet për projeksionet konsiderohen në rënie dhe janë të lidhura me rrethanat e jashtme, sidomos me rrjedhën e luftës në Ukrainë dhe implikimet e tregjeve globale kundrejt produkteve bazë dhe kundrejt rritjes së ekonomisë evropiane. Konteksti i pasigurt global e thekson më shumë nevojën e politikave vendore të kujdesshme”, tha Anita Angellovska Bezhovska, guvernatore e Bankës Popullore.

Për dallim nga inflacioni që ka Bashkimi Evropian, në Maqedoninë e Veriut varësia nga importi është shumë më i madh. Në Maqedoninë e Veriut, tregu i hapur përbën 140% të Prodhimit Bruto Vendor ndërsa në BE vetëm 70%. Një tjetër faktor i rëndësishëm është varësia e madhe e importit në sektorin energjetik, ndërsa një tjetër është edhe shporta konsumatore, përkatësisht te ne shpenzohet 50% për ushqim e energji, ndërsa në Evropë vetëm 30%./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button