Britania dhe SHBA-ja sanksionojnë kriminelët kibernetikë rusë

Britania dhe SHBA-ja sanksionojnë kriminelët kibernetikë rusë

Shtatë shtetas rusë janë sanksionuar nga Britania e Madhe dhe SHBA-ja për lidhjet e tyre me zhvillimin dhe shpërndarjen e ransomware, si pjesë e aksionit kundër kriminelëve kibernetikë.

Zyra e Punëve të Jashtme, (FCDO) tha se ngrirja e  aseteve dhe ndalimet e udhëtimeve ishin vendosur për shtatë shtetas rusë për lidhjet e tyre me ransomware që ishin përdorur për të sulmuar infrastrukturën e Britanisë së Madhe dhe ndërkombëtarisht.

Ransomware është një formë sulmi kibernetik që bllokon skedarët dhe të dhënat në kompjuterin e një përdoruesi dhe kërkon pagesë në mënyrë që ato të shfaqen sërish, vitet e fundit i përdorur si pjesë e një numri sulmesh kibernetike të profilit të lartë, duke përfshirë sulmin e vitit 2017 ndaj NHS.

FCDO tha se viktimat e fundit të këtij lloji krimi kibernetik përfshinin shkollat dhe autoritetet lokale në Britaninë e Madhe, ndërsa Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) identifikoi 149 viktima britanike të cilat ishin prekur nga llojet e ransomware të lidhur me individët e sanksionuar.

“Duke sanksionuar këta kriminelë kibernetikë, ne po u dërgojmë një sinjal të qartë personave që janë përfshirë në ransomware, të cilët do të mbajnë përgjegjësi”, tha ministri i Jashtëm, James Cleverly.

“Këto sulme cinike kibernetike shkaktojnë dëme reale në jetën dhe jetesën e njerëzve”, tha ai.

“Ne gjithmonë do ta vendosim sigurinë tonë kombëtare në radhë të parë duke mbrojtur Britaninë e Madhe dhe aleatët tanë nga krimi i organizuar, pavarësisht nga forma apo origjina e tij”, shtoi Cleverly./ATSH/DPA/

LEXO EDHE:

Back to top button