Britania “godet” Izraelin, pezullon dërgesat e disa armëve

Britania “godet” Izraelin, pezullon dërgesat e disa armëve

Britania e Madhe ka pezulluar disa kontrata për dërgesat e armëve të ndryshme në Izrael, nën pretendimin se ekziston një rrezik i qartë se ato mund të përdoren për të kryer shkelje serioze të ligjit ndërkombëtar.

Sekretari i Jashtëm David Lammy deklaroi se Mbretëria e Bashkuar ka vendosur të pezullojë 30 nga 350 licencat e eksportit të armëve në Izrael, të cilat përfshijnë pjesë për avionë luftarakë, helikopterë dhe dronë.

Lammy shtoi se Britania e Madhe vazhdon të mbështesë të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe kjo nuk përbënte një embargo armësh, raporton A2.

Ky vendim i Britanisë nuk u prit mirë nga qeveria izraelite, e cila përmes një reagimi zyrtar u shpreh se Mbretëria e Bashkuara po jep një mesazh të gabuar, që në fakt shkon në krah të Hamasit.

Duke folur për Radio 4, ministri izraelit për çështjet e diasporës, Amichai Chikli, tha se vendimi kishte ardhur në një moment shumë të ndjeshëm kur izraelitët po varrosnin gjashtë persona të vrarë në tunelet e Hamasit.

Qeveritë perëndimore kanë qenë nën presion në rritje për të ndaluar shitjet e armëve për Izraelin lidhur me mënyrën se si po zhvillohet lufta kundër Hamasit në Rripin e Gazës.

SHBA vijon të mbetet furnizuesi më i madh i armëve për Izraelin, duke përbërë 69% të importeve të saj të armëve kryesore konvencionale midis 2019 dhe 2023, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm .

Por është ende e habitshme që një nga aleatët më të afërt të Izraelit ka gjykuar se ekziston një rrezik i qartë që vendi mund të përdorë disa nga eksportet e tij të armëve për të shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar.

 

LEXO EDHE:

Back to top button