Buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë me 33 denarë

Buka e bardhë dhe gjysmë e bardhë me 33 denarë

Gazetare: Evi Shkupi

Kompanitë më të mëdha sot i janë rikthyer prodhimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë  të cilat nga sot shiten me 33 denarë. Njerëzit kishin nxituar me mëngjes të blinin sa më shumë bukë, ndoshta nga frika  se mos përsëritet skenari i pak ditëve më parë kur raftet ishin të zbrazëta.

Gazetarja: Më falni, përse ka kaq pak bukë nëpër rafte?
E punësuara: Është harxhuar që në mëngjes.
Gazetarja: E kanë blere?
E punësuara: Po, po.
Gazetarja: 33 denarë shitet duke filluar që sot?
E punësuara: Po, ja po jua jap një prej këtu.

Qytetarët që dilnin nga marketet me dy apo tre bukë të blera e  kanë mirëpritur reagimin e Qeverisë për ngrirjen e çmimit, por thonë se paralajmërimet e Ministrisë së Ekonomisë për ngrirjen edhe të çmimeve të produkteve të tjera bazë duhet të bëhen realitet sa më shpejt.

“ Le të mos bëjnë përllogaritje në kurriz të qytetarëve, por të bëjnë punën e tyre. Tani produktet e qumështit, produktet bazë, kuptohet djathi, kaçkavalli nuk janë të përballueshme për xhepin e gjithkujt”, tha një qytetar.

“Mendoj se janë mësuar tashmë me idenë se qytetarët edhe ashtu mund të jetojnë dhe as nuk i pyesin ata  si gjinden apo a kanë mundësi t’i bëjnë ato pagesa, përkundrazi vazhdojnë të mendojnë vetëm fitimin e tyre”, shtoi një tjetër qytetar.

“Ndalesa u pa se nuk ishte nga mungesa e miellit apo diçka e tillë, ishte krizë e menduar. Sigurisht që e kanë bërë për të pasur fitim shtesë”, u shpreh një qytetar tjetër.

Disa prej tyre në vend të bukës kishin blerë miell, sepse thonin se buka e shtëpisë është shumë më e shëndetshme se ajo e blerë.

“Ne gatuajmë bukë në shtëpi gjatë gjithë kohës. E pjekim në sobë me dru. E gatuajmë vet dhe hamë çdo ditë bukë të ngrohtë.  Për ne të moshuarit mendoj se është më e shëndetshme. Në shtëpi me tharmë buke, këto i hedhin aditivë, ajo fryhet dhe mendojmë se hamë bukë”, theksoi një qytetar.

Ata që jetojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe kthehen të vizitojnë vendin herë pas here nuk hezitojnë të bëjnë krahasimin e çmimeve dhe thonë se punët janë së prapthi. Atje ku rroga është më e lartë çmimet janë më të ulëta, ndërsa këtu është anasjelltas.

“Unë punoj në Slloveni. Janë shumë më lirë. Punoj si shofer në relacionin Zvicër- Angli. Mishi në Angli është shumë më lirë, Mishi i viçit është 2 kilogram rreth  700 denarë.  Kaçkavalli për shembull, 200 gram mund ta blini për 70 denar”, tha një qytetar tjetër./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button