Bullgaria pranoi shkurtesën e emrit të ri

Gazetar: Lluka Andreev

Mbetet enigmë se si do t’i zgjidhin Shkupi dhe Sofja çështjet e hapura historike, për të cilat prej tre vitesh ka përplasje të ashpra në Komisionin e përbashkët historik. Pasi dje në intervistë për BNT, ministri i jashtëm Bujar Osmani paralajmëroi ndryshim të mënyrës së punës së Komisionit, kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov me mjeshtëri shmangën përgjigjet për këtë temë dhe vetëm thanë se fillimisht duhet të krijohet mjedis i mirë për dialog produktiv për historianet. Kovaçevski tha se çështjet historike do të vihen në plan të dytë, ndërsa Petkov tha se komisioni për histori është një nga pesë grupet e punës që do të vërtetohen të martën në Sofje. As Kovaçevski e as Petkov nuk paralajmëruan ndryshim të metodologjisë së punës së Komisionit, shkruan Alsat.

“Personalisht shpresoj që anëtarët e Komisionit Historik të informojnë bashkërisht për atë që është rënë dakord dhe se ajo që është rënë dakord së bashku do të jetë urë për të ardhmen, jo kthim në të kaluarën”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër

“Shpresoj që kur ta vendosim Komisionin Historik të jetë një nga pesë komisionet, brenda të gjitha atyre përfitimeve që duhet të arrihen nga puna e përbashkët, madje edhe çështje që nuk janë sqaruar ende, do të parashtrohen në një mjedis krejt ndryshe. Një mjedis dialogu i mirë, mjedis konstruktiviteti”, theksoi Kirill Petkov – Kryeministër i R. së Bullgarisë

I pyetur se si quhet populli dhe gjuha e vendit ku ai është për vizitë, kryeministri bullgar tha vetëm se Sofja respekton të drejtën e vetëvendosjes së qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Kovaçevski përsëriti se flet maqedonisht, por shtoi se për çështjen e gjuhës mbetet formulimi i njëjtë, – në marrëveshjet bilaterale me Bullgarinë, që gjuha maqedonase do të shkruhet si gjuhë zyrtare sipas Kushtetutës së vendit. Pikërisht ky është formulimi që përdoret në tekstin e kornizës negociuese të Brukselit, të cilën Sofja ende nuk e ka miratuar, praktikisht duke vendosur veto. Me kërkesë të autoriteteve maqedonase që në kornizë të përdoret ky formulim për gjuhën maqedonase, deri tani nga Bullgaria nuk ka përgjigje rreth kësaj. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button