Burgu i Idrizovës paguan çmime shumë fish më të larta për ushqim !?

Gazetar: Zekirija Haxhiu

Vaji 138 denarë, sheqeri 78 denarë, peshk Osliq 276 denarë, makarona e shpageta 124 denarë. Këto janë disa nga çmimet që ka paguar Burgu i Idrizovës për t’u furnizuar me ushqim për nevojat e të burgosurve. Më tej ky institucion ka paguar dhe produkte të tjera me çmime shumë më të larta se sa vlera reale në treg. Kështu, një litër qumësht e ka paguar 97 denarë, mollat 78 denarë për kg, keçapi 375 denarë për kg ndërsa gjalpi 378 denarë për kg. Tenderi milionësh për ushqim në Burgun e Idrizovës nga kompania “Fodulmak”, ngre pikëpyetje të mëdha për keqpërdorime dhe harxhim të pa nevojshëm të buxhetit. Vlera totale përfshirë dhe TVSH-në kap 1,25 milion euro.

Alsat kontaktoi me Drejtorinë për Kryerjen e Sanksioneve për të sqaruar marrëveshjen për furnizim por nga atje njoftuan se burgu ka buxhetin e vet dhe për furnizime vendos vet si institucion.

Kontaktuam edhe drejtorin e burgut Zoran Jovanovski i cili ka nënshkruar këtë marrëveshje furnizimi por i njëjti, për dhjetë me radhë nuk sqarohet për marrëveshjen. Pyetjet tona i cilëson si presion ndaj tij dhe na pyeti, pse nuk jemi interesuar në kohën kur është nënshkruar marrëveshja por pas disa muajve.

“Drejtor i burgut, Zoran Jovanovski nuk jep sqarime se përse nuk ka kërkuar të shqyrtohen dhe oferta të tjera për t’u furnizuar me ushqim dhe pije. Nëse para një javësh na tha që pyetja t’i dërgohet me e-mail zyrtar, tani kërkon që pyetja t’i dërgohet si në kohën e gurit, me një letër të vulosur nga televizioni”, raporton Zekirija Haxhiu, gazetar.

Pjesën më të madhe të buxhetit e zë kategoria e mishit, përpunimeve të mishit dhe peshkut, dhe atë gati 27 milion denarë. Erëzat gati 21 milion denarë. Produktet e qumështit 19.2 milion denarë. Pemët e perimet, përfshirë dhe ato të konzervuara, 10 milion denarë. Marrëveshja për furnizim daton nga janari i këtij viti ndërsa furnizimi është bërë në afat kohor prej një viti, përkatësisht derisa të përfundojnë ushqimet. Madje siç shkruhet në dokument, gjatë kësaj periudhe një vjeçare mund të ketë dhe korrigjim të çmimeve por jo më tepër se 10%. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button