Buskets, konfirmon se mbyll karrierën te kombëtarja e Spanjës

Serhio Buskets ka njoftuar këtë të premte tërheqjen e tij nga skuadra spanjolle dhjetë ditë pas humbjes në çerekfinalet e Kupës së Botës në Katar ndaj Marokut. Në moshën 34-vjeçare, mesfushori i Barçës, me të cilin ka kontratë deri më 30 qershor, ka postuar një deklaratë të plotë në llogarinë e tij në “Instagram” për të dhënë lajmin dhe për të shpjeguar arsyet.

“Dua të njoftoj se pas gati 15 vitesh e 143 ndeshjesh, ka ardhur koha për t’i dhënë lamtumirën kombëtares. Dua të falënderoj të gjithë njerëzit që më kanë shoqëruar në këtë rrugë të gjatë. Nga Visente del Boske që më dha mundësinë për të filluar, tek Luis Enrike që më bëri të lumtur deri në sekondën e fundit. Falenderoj gjithashtu ZHulen Lopetegi, Fernando Hierro dhe Robert Moreno për besimin e tyre, si dhe të gjithë stafin e tyre”, shkruan kapiteni i Barcelonës, duke falënderuar të gjithë ish-trajnerët.

Buskets ka fituar dy Europianë me Spanjën dhe Kupën e Botës në Afrikën e Jugut në vitin 2010, e para dhe e vetmja për Spanjën deri tani. /abcnews.al

LEXO EDHE:

Back to top button