BUXHETI: Debat në kuvend për rishikimin

BUXHETI: Debat në kuvend për rishikimin

Gazetar: Angel Dimovski

LSDM-ja dorëzoi një amendament për sigurimin e 1,2 miliardë denarëve për mbështetjen e të prekurve nga tragjedia në Koçani, si dhe për rinovimin dhe pajisjen e spitalit në Koçan. Socialdemokratët thonë se Qeveria deri tani ka investuar pak për përballjen me pasojat, ndërsa pjesa më e madhe e ndihmës që familjet e të prekurve e kanë marrë deri më tani ka ardhur nga qytetarët dhe kompanitë me përgjegjësi shoqërore, përmes Kryqit të Kuq dhe organizatës “Support Koçani”.

„Me këtë amendament propozohet të sigurohen mjete në vlerë prej një miliard e 20 milionë denarësh për mbështetje financiare të të lënduarve dhe familjeve të personave të ndjerë në aksidentin në diskotekën në Koçani, si dhe sigurimi i mjeteve për rinovimin dhe furnizimin me pajisje mjekësore të domosdoshme për spitalin e përgjithshëm në Koçan,“ tha Jovanka Trençevska – deputete e LSDM-së.

Por amendamenti u refuzua menjëherë. Nikollçe Jankullovski, zëvendësministër i Financave, thotë se qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me familjet e të lënduarve dhe të ndjerëve nga tragjedia në Koçani dhe po ndërmerr masa për sanimin e pasojave.

„Qeveria ka ndërmarrë dhe vazhdon të ndërmarrë masa për sanimin e pasojave që kanë ndodhur atë mbrëmje dhe që i kemi deri më sot. Qeveria është në komunikim të vazhdueshëm me familjet e të ndjerëve, por edhe me të lënduarit nga ajo mbrëmje fatkeqe. Përmes Ministrisë së Shëndetësisë tashmë po realizohen aktivitete në spitalin, Spitalin e Përgjithshëm në Koçani, dhe përmes Fondit për Shëndetësi të Republikës së Maqedonisë, vazhdimisht po sigurohet materiali i nevojshëm mjekësor,“ deklaroi Nikollçe Jankullovski – zëvendësministër i Financave.

Ndryshe, deputeti Bojan Stojanoski thotë se paratë nga ribalanci i buxhetit do të dedikohen për investime kapitale, si dhe për paga dhe pensione më të larta dhe projekte.

„Praktikisht, ato janë paga dhe pensione më të larta, mjete për projekte infrastrukturore në komuna, 250 euro për çdo student, rritje të pagave në arsimin e lartë, të mesëm, fillor, por edhe në të gjitha fushat e tjera,“ tha Bojan Stojanoski – deputet i VMRO-DPMNE.

LSDM para tre ditësh i tërhoqi 142 amendamentet e dorëzuara, me arsyetimin se në kushte të zjarreve serioze nuk mund të zhvillohet debat normal, por duhet ti kushtohet vëmendje menaxhimit të situatës. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button