KORRIDORI: Projekti final, në fund të 2026-tës / “Bukojçan – Gostivar, punë intensive”

KORRIDORI: Projekti final, në fund të 2026-tës / "Bukojçan - Gostivar, punë intensive"

Gazetare: Fatlume Dervishi

Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se dinamika e punës për realizimin e Korridorit 8 është përshpejtuar në tetë muajt e fundit. Një ditë pasi u lëshuan për qarkullim 20 kilometrat e para të autostradës Kërçovë-Ohër, sot kryeministri tha se deri në fund të gushtit, do të lëshohen gjithsej 34-35 kilometra. Do të mbeten të mbyllura dhe pa përfunduar afër 17 kilometra nga Vërbjani deri në Kërçovë si dhe 5 kilometra në afërsi të fshatit Botun, ku janë hasur gjithsej 16 hapësira me tokë të rrëshqitshme të cilat do të duhet të fillojnë të stabilizohen pas muajit gusht. Për të gjitha këto duhet të rritet korniza kreditore.

“Nga aksi i plotë prej 57 kilometrash diku 34-35 deri në fund të gushtit do të jenë autostradë, pa ata 5 në Botun dhe pa ato 17 nga dalja e tunelit deri në Kërçovë që pres të përfundojnë deri në fund të 2026 ose e shumta, tremujori i parë i 2027,” deklaroi Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Kryeministri tha se me intensitet punohet edhe në rrugën Gostivar-Bukojçan dhe pret përfundimin e disa prej autostradave madje para përfundimit të afateve të dhëna.

“Është hapur front. Më shumë se 70% e frontit për të punuar është hapur. Punohet me dinamikë jo të ngadaltë. Një pjesë e madhe e aktiviteteve do të realizohen këtë vit. Po ashtu, me dinamikë jo të ngadaltë punohet autostrada Tetovë-Gostivar,” tha Hristijan Mickoski, Kryeministër.

Mickoski tha se nuk i interesojnë kritikat e opozitës meqë dallimi mes tyre dhe kësaj qeverie është realizimi i këtyre projekteve.

Autostrada Kërçovë-Ohër, e cila është në ndërtim e sipër për 11 vjet dhe fillimisht duhej të vihej në funksion në qershor të vitit 2018, është 57 kilometra e gjatë dhe ndërtimi deri më tani ka kushtuar pothuajse 600 milionë euro. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button