Byroja për Ekspertizë Ligjore prononcohet për veprat kundër Ramiz Merkos

Byroja për Ekspertizë Ligjore prononcohet për veprat kundër Ramiz Merkos

Gazetar: Adrian Kerimi

Byroja për Ekspertizë Ligjore vlerëson se ekspertiza e kërkuar në rastin kundër kreut të Strugës, Ramiz Merko ku ai dhe 3 persona të tjerë dyshohen për shpërdorim të detyrës zyrtare nuk është zvarritur nga ana e tyre, por nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas këtij institucioni, në nëntor të vitit 2020 është kërkuar dokumentacion i plotësuar, por Prokuroria kundër krimit të organizuar nuk ka ofruar asgjë.


“Për plotësimin e fundit të vitit 2020 nga ana e ekspertit ligjor të fushës së ndërtimtarisë është dorëzuar shkresë në nëntor 2020 ku është kërkuar nga Prokuroria për Krim të Organizuar dhe ndjekje të Korrupsionit dokumentacion plotësues për ta përgatitur konstatimin dhe mendimin plotësues, mirëpo deri sot dokumentacioni i kërkuar nuk është dorëzuar në institucionin tonë”, deklaroi Byroja për Ekspertizë Ligjore.

Në mungesë të dokumentacionit, Byroja ka proceduar vetëm në pjesën e pyetjeve që ndërlidhen me fushën e ekonomisë.

“Bazuar në konstatimin dhe mendimin plotësues ekspertët janë prononcuar vetëm për pyetjet e fushës së ekonomisë”, tha Byroja për Ekspertizë Ligjore.

Kallëzimi është ngritur nga Policia Financiare, por Prokuroria Publike nuk ndan hollësi për çfarë rasti bëhet fjalë përderisa nuk mbaron shqyrtimi i gjitha procedurave dhe dokumentacioneve. Sipas kallëzimit penal, Merko dhe 3 persona të tjerë dyshohen për shpërdorim të zyrtare, vepra që ndërlidhen me përfitime personale dhe dëmtim ndaj personave të tjerë, përfitime pasurore dhe dëmtim ndaj pasurisë së tjetrit dhe shkelje të procedurave gjatë furnizimeve publike. /alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button