Bytyqi: Maqedonia përkrah dialogun Kosovë-Serbi, duke respektuar interesat e të dy palëve

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi në një intervistë për KosovaPress ka komentuar edhe dialogun Kosovë-Serbi, transmeton Alsat. Ai kujton sakrificën e Maqedonisë për të ndërruar emrin, gjë që sipas tij, dëshmon se vetëm me bisedime mund të zgjidhen problemet.

“Si qeveri përkrahim dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duke respektuar të drejtën e çdo njërit, por duke respektuar edhe interesin e çdo pale dhe gjetjen e zgjidhjes së përbashkët. Mendojmë se vetëm nëpërmjet bisedimit mund të arrihen të tejkalohen vështirësitë”, thekson Bytyqi.

Ai përshëndet edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare me Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Malin të Zi dhe Serbinë, duke thënë se ky vendim dëshmon se vendet e Ballkanit Perëndimor janë më të pjekura se vet Bashkimi Evropian. Sipas tij, të gjitha vendet e Ballkanit duhet të kapërdijnë sfidat e vjetra në mënyrë që të kalojnë në një fazë të re të zhvillimit dhe bashkëjetesës të të gjithëve.

“Është vendim i shekullit 21, i lidhur me 4 liritë e Bashkimit Evropian. Lëvizja e lirë e qytetarëve që duhet të gjithë ta synojnë. Kjo dëshmon se ne, politikanët e Ballkanit Perëndimor ndonjëherë me vendimet tona jemi më të pjekur sesa ata vet, të cilët flasin për liritë e BE-së… Qeveria në Republikën e Kosovës, por edhe qeveritë e Ballkanit e kuptuan se duhet të bëjnë hap përpara sepse e kuptuan që integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian nuk bëhet kur dikush tjetër e vendos, por bëhet së bashku duke treguar dhe dëshmuar me rezultate konkrete se çfarë duhet të bëjmë ne si rajon së pari, pastaj duke u integruar në BE”, thotë ai.

LEXO EDHE:

Back to top button