Çerdhet në Kumanovë të mbingarkuara, lista e pritjes e gjatë për fëmijët
Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi
Në Kumanovë është regjistruar përsëri interes i madh nga prindërit për pranimin e fëmijëve në çerdhe për vitin e ri shkollor, duke u paraqitur një numër i lartë kërkesash për regjistrim. Drejtoresha e çerdhes “Angell Shajqe” Ivana Nikoliq, kërkon pëlqimin nga Këshilli Komunal për pranimin e një numri më të madh fëmijësh sesa kapaciteti i planifikuar.
“Çdo vit kemi një numër të madh kërkesash nga qytetarët për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe. Ne përpiqemi t’u dalim në ndihmë sa më shumë që është e mundur por pothuajse gjithmonë na mungon ndonjë vend, megjithatë bëjmë përpjekje që t’ua mundësojmë këtë qytetarëve. Qëllimi ynë është që gradualisht të modernizojmë objektet ekzistuese dhe të krijojmë kushte për pranimin e një numri më të madh fëmijësh, sipas nevojave të qytetarëve të Kumanovës”, deklaroi Ivana Nikoliq, Drejtoresh e çerdhes “ Angell Shajqe” .
Drejtoresha theksoi se këtë vit do të lirohen 372 vende për fëmijët që kalojnë në klasën e parë, ndërsa po aq vende pritet të hapen për pranimin e fëmijëve të rinj në çerdhe nga muaji shtator.
Ndërkaq pas shumë premtimeve të dhëna gjatë fushatave për hapjen e çerdheve të reja në Kumanovë dhe në fshatrat përreth, këshilltari i Komunës së Kumanovës nga radhët e VLEN, Skender Osmani, deklaroi se çerdhet mbeten në listën e prioriteteve. Sipas tij, premtimet e bëra bazohen në planin e ri urbanistik të Kumanovës.
“Ne me listën e prioriteteve që i kemi dorëzuar në Komunë dhe me futjen në Koalicion për vitin 2025–2029 i kemi të parapara, konkretisht në Planin e ri gjeneral të qytetit të Kumanovë të analizohen mundësitë urbanistike dhe të definohen vendet për çerdhe të reja, shkolla fillore, ambulanta, objekte sportive, objekte kulturore, objekte infrastrukturore, të gjitha këto për vendbanimet: Bashkësia lokale Todemendoll, Bashkësia lokale Bajram Shabani, Bashkësia lokale 11 Nëntori, Bashkësia lokale Karposh, Bashkësia lokale Llopat, Bashkësia lokale Çerkez dhe Bashkësia lokale Rramali”, tha Skender Osmani, Këshilltar i Komunës së Kumanovës.
Komisioni për Pranim, do të mblidhet më 17 gusht. Pas përfundimit të punës së Komisionit, në të gjitha objektet e institucionit, në tabelat e shpalljeve do të publikohen listat me fëmijët e pranuar, pas së cilës prindërit do të mund të lidhin kontratë për shfrytëzimin e shërbimeve të institucionit.
Me mungesë çerdhesh përballen pothuajse të gjitha qytetet. Problemi është më serioz në hapësirat urbane./Alsat.mk.








