Certifikata të reja, me gabimet e vjetra

Certifikata të reja, me gabimet e vjetra

Gazetar: Ardit Ramadani

Assesi të zgjidhet problemi me gabimet drejtshkrimore në shkresat zyrtare, madje as edhe në dokumentet e reja. Dje ministri i Drejtësisë Krenar Lloga publikoi certifikatat e reja të lindjes, të të vdekurve dhe të kurorëzuarve, edhe pse të reja, te këto dokumente janë bartur të njëjtat gabime drejtshkrimore si në të vjetrat, të cilat janë përpiluar dekada më parë.

Për shembull, në vend që të shkruajë “librat amë”, në ballinën e këtij dokumenti shkruan “libri amzë”, që është gabim. Përveç kësaj, tek pjesa ku kërkohen të dhënat personale mungojnë presje si dhe fjalët nuk janë të ndara mes vete.

Në vend ekziston Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që Flasin së Paku 20% e qytetarëve, por institucionet publike thuajse fare nuk e shfrytëzojnë atë për t’u konsultuar. Nga ana tjetër neni 19 i Ligjit për Themelimin e këtij institucioni, e obligon atë që të ndihmojë edhe ne lekturim të dokumenteve.

Neni 19 i Ligjit për Themelimin e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës që Flasin së Paku 20% e qytetarëve.

“Agjencia është kompetente për: Dhënien e mbështetjes institucioneve në realizimin e obligimeve që burojnë nga ky ligj, duke përfshirë përkthimin dhe lekturimin e dokumenteve, lekturimin e të gjitha akteve që botohen në Gazetën zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.

ALSAT pyeti këtë institucion në lidhje me qëndrimin e tyre për gabimet drejtshkrimore në gjuhën shqipe në dokumentet zyrtare, si dhe sa konsultohen institucionet publike me ato në lidhje me këtë, por deri tani nuk kemi marrë përgjigje.

Është ironike se Maqedonia e Veriut shquhet për numrin e lartë të të punësuarve në institucionet publike, por pjesa më e madhe prej tyre dukshëm kanë probleme me drejtshkrimin, gjithashtu, ekspertët më herët kanë sugjeruar që institucionet të punësojnë redaktorë gjuhësorë.

Përveç gabimeve të përmendura, më së shpeshti institucionet e vendit e ngatërrojnë shkronjën Ë me shkronjën E, nisin fjalitë me shkronja të vogla, përdorin thonjëza vend e pa vend dhe ngjashëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button