Çiklisti merr dënim të ashpër, pasi qëlloi macën e ministrit!

Në San Marino, çiklisti profesionist Antonio Tiberi u dënua me 4000 euro gjobë për “vrasjen” e një maceje. Historia daton në 21 qershor të vitit të kaluar, kur 21-vjeçari qëlloi nga dritarja me një pushkë me ajër, duke goditur macen në pronësi të ministrit aktual të Turizmit dhe Postës, Federiko Pedini Amati.

Çiklisti profesionist i ekipit “Trek-Segafredo”, rrezikon ta paguajë shtrenjtë “praktikën” e tij me pushkën me ajër. Sepse, përveç gjobës së vendosur, mund të humbasë edhe të drejtën e rezidentit në San Marino.

Tiberi, të cilit iu sekuestrua karabina, para gjykatësit e pranoi gabimin, duke shpjeguar se nuk kishte pasur qëllim të vriste macen, por atë të maste aftësinë e qitjes së armës, duke qenë i bindur se ajo ishte jo-vdekjeprurëse. Mirëpo për ministrin gjoba është e pamjaftueshme.

“Ne s’kemi nevojë t’u japim vendbanimin këtyre njerëzve. Nuk mund të vrasësh një kafshë shtëpiake dhe të ikësh me 4000 euro gjobë”.

Në San Marino, ndër të tjera, kodi penal dënon me arrest të shkallës së dytë ose me gjobë këdo që torturon ose i vret kafshëm.

Çiklisti Antonio Tiberi është fitues i medaljes së bronztë në Kampionatin Europian për të rinj në vitin 2018 dhe fitues i medaljes së artë në provën kronometrit për të rinj në Kampionatin Botëror 2019.

LEXO EDHE:

Back to top button