Ohër, nisi gjyqi për sulmin ndaj sekretarit të klubit bullgar

Ohër, nisi gjyqi për sulmin ndaj sekretarit të klubit bullgar

Gazetar: Miki Trajkovski

Në mungesë të sekretarit të klubit bullgar në Ohër, Hristijan Pendikov, në Gjykatën e Ohrit filloi gjykimi për sulmin fizik ndaj tij më 19 janar në një kafene në Ohër. I akuzuari ngarkohet për vepër penale sulm nga urrejtja duke shkaktuar lëndim të rëndë, për çka parashikohet dënim me burg nga një deri pesë vjet, gjë që mbrojtja e mohon.

“Kësaj i jepet theks dhe ngjyrë politike, dhe është politizuar deri në kufij të tmerrshëm, që mund të dëmtojë gjithë procedurën. Është një çështje thjesht politike. Nëse i ndiqni me kujdes deklaratat e Pendikovit, që i jep përmes televizionit kombëtar bullgar, ai përmendi se nuk e dinte se kush e ka goditur nga pas, se nuk e dinte kush e goditi me shkelma, se ishte rrahur 10 minuta, megjithatë video incizimi tregon një situatë krejtësisht të ndryshme. Unë nuk kam vërejtur gjatë fazës së hetimit që ndonjë dëshmitar të ketë thënë bullgar i trashë”, tha Dimitria Coboski-avokat i të akuzuarit.

Sipas avokatit të autorizuar të Pendikovit, ai nuk erdhi në gjyq sepse ende është duke u trajtuar, kishte vështirësi në të folur dhe nuk mund të udhëtonte. Ai nuk ka dashur të komentojë pretendimet e avokatit të të akuzuarit.

“Të jem i sinqertë, nuk e kam parë atë intervistë. Do të vijë sapo të përfundojë trajtimi. Ne përgjithësisht nuk kemi argumente, thjesht e përfaqësoj atë si viktimë dhe i dëmtuar në një vepër penale. Argumentet duhet të paraqiten nga prokuroria dhe mbrojtja”, u shpreh Stefan Kamishevski – i autorizuar ligjor i Hristijan Pendikov.

Me kërkesë të mbrojtjes, pasi që nuk janë dorëzuar të gjitha provat e përmendura në aktakuzë, gjykimi është shtyrë për më 5 prill. Avokati i Pendikovit njoftoi se do të kërkojnë edhe dëmshpërblim në para. Rasti ka shkaktuar përkeqësim të marrëdhënieve mes Shkupit dhe Sofjes. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button