Gjyqi për Zhan Mitrev nisi për të mos filluar, avokatët kërkuan më shumë kohë për përgatitje

Gjyqi për Zhan Mitrev nisi për të mos filluar, avokatët kërkuan më shumë kohë për përgatitje

Gazetar: Ardit Ramadani

Kardiologu Zhan Mitrev sot u paraqit në Gjykatën Penale në Shkup për të dëshmuar sipas tij, pa-fajësinë për kryerjen e veprës penale “Mashtrim” përmes Spitalit të tij privat. Megjithatë, Mitrev një ditë më parë kishte angazhuar avokatë të rinj të cilët, i kërkuan gjykatës kohë për tu përgatitur, gjë që çoi në anulimin e seancës së parë gjyqësore. Kjo nuk i pëlqeu prokurores Iskra Haxhivasilieva, e cila kërkoi të mos keqpërdoret e drejta e mbrojtjes me çka u ngritën tensionet në seancë dhe avokati Nikolla Dodevski, ia ktheu që të mos ushtrojë presion mbi gjykatën. Një ditë para seancës gjyqësore, Gjykata Penale në Shkup kishte bllokuar llogaritë e klinikës “Zhan Mitrev”. Sipas përfaqësuesve të kësaj klinike, ky vendim përbën aktgjykim ende pa filluar gjykimi.

“Theksojmë se me masat e marra plotësisht bllokohet funksionimi i spitalit Zhan Mitrev, i cili është një organizatë shëndetësore me interes publik. Klinika “Zhan Mitrev” nga sot nuk po arrin të shlyejë detyrimet ndaj bankave. Duam të informojmë publikun se do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë dhe trajtimi i asnjë pacienti nuk do të vihet në pikëpyetje, edhe pse procedimet e Gjykatës Penale dhe me kërkesë të prokurorisë shkojnë në një drejtim tjetër, kërkojnë mbylljen tonë”, thonë nga Spitali “Zhan Mitrev”.

Nga Gjykata Penale u arsyetuan se bëhet fjalë për vendim jo të plotfuqishëm dhe kjo është masë e përkohshme, ndërkaq nga prokuroria thanë se ekziston mundësia që Mitrev të ofrojë garanci tjetër që t’i lirohen llogaritë.

“Kjo është diçka që zgjat tash një kohë më të gjatë. Prokuroria ritheksoi se nuk ka qenë qëllimi për të bllokuar punën e spitalit, përkundrazi jemi udhëhequr nga parimet e proporcionalitetit. Tani nga njëra anë është interesi dhe e drejta e palëve të dëmtuara për të kërkuar atë që është denoncuar, unë e ndjej për detyrë ta mbroj këtë, por është përsëritur shumë herë si sot që mbrojtja mundet dhe është absolutisht e pranueshme të ofrojë një shumë si garanci. Është diçka që prokuroria dhe si do ta vlerësojë ajo madje e inkurajon”, deklaroi Iskra Haxhivasileva, prokurore.

Seanca e radhës është caktuar për me 5 prill. Kjo lëndë u hap më 10 janar të këtij viti pas një hulumtimi gazetaresk të rrjetit investigativ IRL. Gjatë hetimit, prokuroria ka deklaruar se deri te ata janë paraqitur 283 ish-pacientë të cilët janë ndjerë të mashtruar. Përllogaritjet e prokurorisë janë se përmes metodës së hemofiltrimit, nga këta persona janë paguar rreth 1,6 milion euro. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button