Çmimet e larta mbrohen me fanatizëm, shporta konsumatorë shënon rritje

Çmimet e larta mbrohen me fanatizëm, shporta konsumatorë shënon rritje

Gazetar: Adnan Qaili

Përderisa shteti u ka hapur “luftë” prodhuesve privatë për t’i ulur çmimet, qytetarëve vetëm i shtrenjtohet shporta e konsumatorit. Shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe në muajin shkurt arritën në 50.909 denarë, thuhet në analizën e publikuar të martën nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Të dhënat e tyre tregojnë se pjesa më e madhe ose 19.379 denarë shpenzohet për ushqim dhe pije, ndërsa 13.306 denarë për shpenzime komunale. Për transport kërkohen së paku 3.679 denarë, ndërsa për mjete higjienike 3.154 denarë. Krahasuar me janarin e këtij viti, shporta e konsumit është rritur për 110 den.

“Indeksi i shpenzimeve të produkteve ushqimore për muajin shkurt të 2023 krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar ka shënuar rritje për bukën dhe drithërat me 39.8%, qumështin, djathin, vezët me 36.7%, për mishin dhe prodhimet e përpunuara të mishrave 29.5%.”, thonë nga Enti Shtetëror i Statistikave.

Autoritetet paralajmëruan që disa prodhime të qumështit dhe pastave duhet tu ngrihen çmimet, siç janë qumështi i pasterizuar i lopës, jogurtit si dhe shpagetit e makaronave. Detaje tjera akoma nuk japin nga Ministria Ekonomisë se cilat do të jenë çmimet e ngrira sipas sasisë së paketuar të këtyre prodhimeve.

“Ministria e Ekonomisë deri në fund të javës do të del me rezultatet e analizave për ngrirjen e çmimeve të pastave dhe të disa produkteve të qumështit. Aktualisht, të njëjtat edhe mbulohen nga vendimi për marzhë të kufizuar të TVSH-së, e që bëjnë pjesë në produktet bazë të shportës së konsumatorit”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Pas ngrirjes së çmimit të bukës radhën e kanë produktet e qumështit, dhe për të pasuar ato të mishit. Ndërkohë, prodhuesit e industrisë së qumështit thonë se lënda e parë e importuar po u dikton çmimin. Marina Maneva nga industria e prodhimeve të qumështit tha se disa çmime vetëm se janë ulur për 10-20% me uljen e energjensave.

“Ne shpresojmë dhe presim që nuk do të vijë deri te ngrirja e çmimeve ose eventualisht ulja momentale që aktualisht janë në rafte. Nëse do të ndodhte ulja e çmimeve ose ngrirja e tyre, prodhimet nuk do të mungojnë nëpër pikat e shitjes, por ne do të përballemi me pasoja të humbjeve nga kjo masë duke u detyruar të marrim kredi apo huamarrje sepse është sfidë që vështirë mund të ballafaqohemi nga ne, përkatësisht nga prodhuesit”, deklaroi Marina Maneva, Prodhuese në industrinë e qumështit.

Sa për krahasim, Qeveria në Francë në marrëveshje me shitësit kryesorë ka kufizuar çmimet e shumë produkteve ushqimore në përpjekje për të lehtësuar presionet e inflacionit mbi konsumatorët. Shitësit francezë me pakicë kanë rënë dakord të përballojnë koston e nismës, e cila do të arrijë në disa qindra milionë euro. Përkundër masës së Qeverisë në Shkup, e cila u dha para prodhuesve privat, ekzekutivi në Paris, do të jep “kuponë për ushqim” për familjet me të ardhura të ulëta gjatë muajve të ardhshëm. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button