Gazetar: Mefail Ismaili
Opozita ka reaguar ashpër për rritjen ekstreme të çmimeve të derivateve të naftës dhe ka kërkuar nga Qeveria që të marrë masa urgjente për uljen e çmimeve, shkruan Alsat.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski ka shkruar se rritja e çmimit të karburanteve është goditje e për qytetarët. Ai kërkoi nga Qeveria ta ulë akcizën me qëllim të zbutjes së çmimeve.
“Nuk është koha për justifikime. Qeveria duhet menjëherë të heqë dorë nga gjysma e akcizës që merr nga karburantet dhe të pranojë propozimin e VMRO-DPMNE-së, e cila ka ngecur në labirintet parlamentare për uljen e akcizës për 50 për qind. 43% e çmimit të benzinës është detyrim ndaj shtetit për çdo litër karburant. Të ulet TVSH-ja për ushqimin nga 5 % në 0%”,tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE.
Aleanca për Shqiptarët akuzon Qeverinë se bën biznes me karburantet.
“Ulja e akcizës nga 22 denarë për benzinën në 15 denarë, si dhe për dizelin nga 15 denarë që është aktualisht, në 9 denarë. Ulja e tatimit mbi vlerën e shtuar, TVSH-së, nga 18% në normën preferenciale prej 5 %, njëjtë siç vepruan me çmimin e energjisë elektrike që po ashtu ishte propozim i Aleancës për Shqiptarët dhe rezultoi pozitivisht edhe pse fillimisht Qeveria ishte skeptike dhe refuzonte”, deklaroi Arben Zeqiri, ASH.
Lëvizja BESA thotë se pushteti duhet të veprojë urgjentisht.
“Është e nevojshme ndërhyrja e menjëhershme në drejtim të uljes së përqindjes së akcizës së derivateve të naftës ose eliminimin e tërësishëm të saj deri sa të tejkalohet kjo situatë tejet e rëndë ekonomike, nëse nuk intervenohet me kohë do të vazhdojë rritja e çmimeve edhe e produkteve dhe shërbimeve tjera nga efekti “zinxhirë”, deklaroi Abdush Demiri, Lëvizja BESA.
Opozita thekson se pushteti LSDM-BDI për momentin vetëm aktron se gjoja po merr masa, përderisa më tepër nga kjo situatë pësojnë bizneset e mesme dhe qytetarët./Alsat.mk








