Çmimi në rritje – Grami në rënie!

Çmimi në rritje – Grami në rënie!

Gazetar: Adnan Qaili

Përveç rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe higjienike, ankesa të shumta të qytetarëve janë edhe për uljen e sasisë në të njëjtat paketime dhe ambalazhe. Për të vërtetuar këtë, ekipi TV Alsat vizitoi disa nga rrjetet e marketeve në kryeqytet. Në bisedë me shitësit, ata vetë na orientonin nga produktet që dukshëm janë më pak në gram apo në mililitra. Në pamundësi për të filmuar brenda objekteve, ne blemë disa nga produktet elementare që i duhen çdo familja për nevojat e përditshme.

“Këto janë disa nga produktet bazë, ndonëse çmimet janë të rritura gramët apo litrat e tyre janë ulur. Për shembull: për jogurtin nga 1,5kg tani është 1,45kg, fasulja nga 500gr tani është 450gr, makaronat nga 500gr tani janë 400gr, kosi 500gr është në 400gr, ajka nga 1kg tani është 800gr, edhe një jogurt tjetër nga 1l tani është në 900ml, buka nga 500gr tani është në 470gr, mielli nga 1kg tani është 850gr, orizi nga 1kg tani është 800gr, patatinat nga 200gr tani janë në 150gr, vaji nga 1l tani është në 905ml, uthulla nga 1l tani është 700ml, detergjenti nga 3l tani është 2880ml, pijet e gazuara nga 0,5l tani janë në 0,45l si dhe vezët, çmimi i të cilave më parë kanë kushtuar 30 kokrra vezë, tani me atë çmim i merrni vetëm 20 kokrra vezë”, raporton Adnan Qaili, gazetar.

Por, a duhet autoritetet të ndërhyjnë në këto raste për të mbrojtur qytetarët? Nga Inspektorati Shtetëror i Tregut thonë se ulja e gramëve apo litrave në produktet ushqimore dhe higjienike është “OK” ngaqë sasinë në paketim dhe ambalazhim e përcakton prodhuesi, konform çmimit në treg.

“Shkelje përbën vetëm në rastet kur sasia nuk është e njëjtë me vlerën që shkruhet në paketim, por raste të tilla janë shumë të rralla nga inspektimet në terren. Nuk kemi denoncime të tilla nga qytetarët”, thonë nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.

Ndërkaq nga Organizata e Konsumatorëve në Maqedoninë e Veriut, thonë se qytetarët kanë mbetur në mëshirë të fatit, kur prodhuesit dhe tregtarët gjejnë mënyrat nga më të ndryshmet për të dhënë më pak e për të marrë më shumë. Sipas kësaj OJQ-je institucionet relevante duhet të vënë në rend të parë interesin e qytetarëve dhe pastaj përfitimet e ndërmarrjeve, të cilët shfrytëzojnë çdo zbrazëtirë ligjore. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button