COVID-19/ Qeveria lehtësoi disa masat, ja cilat mbetën në fuqi
COVID-19/ Qeveria lehtësoi disa masat, ja cilat mbetën në fuqi
Gazetar: Adnan Qaili
Certifikatat e vaksinimit për qendrat tregtare u hoqën, por mbajtja e maskave vazhdon të mbetet në fuqi. Në qendrat e mbyllura në Shkup, qytetarët hynë me maska shkaku i kërkesës së personelit, por brenda shumica e tyre i heqin, shkruan Alsat.
Ka qytetarë që mendojnë se heqja e certifikatave de-motivon vaksinimin.
“Nuk është në rregull dhe duhet të vazhdojnë sepse nga njëra anë shtyhen qytetarët të vaksinohen, kurse këtej hiqen certifikatat, mendoj se certifikatat akoma duhet të kërkohen kurse maskat të hiqen”, thotë një qytetare.
“Mendoj se shumë ka zgjatur, kurse maskat le të mbeten ende se na duhen!”, u shpreh një tjetër.
“Me heqjen e kërkesave për certifikata të vaksinimit në hyrje të qendrave tregtare, qytetarët si duket janë relaksuar dhe tani nuk po i bartin as maskat. Ka raste kur shumica e tyre, sikur unë, po e mbajnë maskën në dorë edhe pse e dinë që ajo nuk ndihmon nëse nuk mbahet në fytyrë”, raporton gazetari i Alsat, Adnan Qaili.
Heqja e maskave nuk pritet as nëpër shkolla, edhe pse skriningu nxori pak fëmijë të infektuar në Shkup.
“Për mua më shumë rëndësi ka skriningu nëpër shkolla që u realizua në qytetin e Shkupit dha të dhënat që numri i fëmijëve ishte shumë i ulët në skriningun të cilin pati Ministria e Shëndetësisë. Në koordinim me Komisionin për sëmundje infektive besoj që në momentin kur do e shohin të arsyeshme do e sjellin edhe atë masë e cila do të jetë për lehtësim për nxënësit”, thotë Jeton Shaqiri, Ministër i Arsimit.
Ndërkaq në mbledhjen e mbajtur të mërkurën nga KSI, kërkohet të ndryshohet metodologjia për vlerësimin e situatës epidemiologjike në vend. Me rrezikshmëri të lartë apo të ulët pritet të llogaritet numri i rasteve të reja të evidentuara në 7 ditët e fundit për 100,000 banorë, numri i të hospitalizaurëve dhe përqindja e kapaciteteve të objekteve shëndetësore brenda një jave. Nuk u diskutua asnjë lehtësim shtesë për të harmonizuar protokollet me vendet e rajonit, shteti ynë mbetet ndër më të shtrënguarit./ Alsat.mk








