Kryetari i ri i Antikorrupsionit bëri betimin, u zotua se do të punojë me nder dhe përgjegjësi
Kryetari i ri i Antikorrupsionit bëri betimin, u zotua se do të punojë me nder dhe përgjegjësi
Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kryetari i ri i Komisionit Shtetëror për Parandalim të Korrupsionit, Adem Çuçul bëri betimin solemn në Kuvend. Integriteti, përgjegjësia dhe transparenca do të jenë shtyllat kyçe tek të cilat tha se do të mbështetet dhe do të kërkojë nga anëtarët e komisionit që t’i respektojnë. Përgjegjësi dhe integritet do të kërkojë gjithashtu nga të gjitha institucionet me qëllim për të kontribuar për një shoqëri më të mirë dhe për uljen e korrupsionit.
“Jemi në fazë të përgatitjes së strategjisë së re kombëtare e cila përgatitet në një proces inkluziv me pjesëmarrje të të gjithë faktorëve relevant në shtet, si mjet parandalues shpresoj se do të jetë shumë më koncize, më e zbatueshme për dallim nga e mëparshmja. Kështu që me këtë mekanizëm do të kontribuojmë të largohen mangësitë sistematike të cilat gjenerojnë korrupsion. Fokusi im do të jetë bashkë me ekipin të rrisim aktivitetin tonë për kontrollimin e gjendjes së pasurisë për personat e zgjedhur dhe emëruar”, tha Adem Çuçul – Kryetar i Antikorrupsionit.
Përzgjedhja dhe betimi i Çuçulit vjen pikërisht në prag të ditës ndërkombëtare kundër korrupsionit. Me këtë rast, Antikorrupsioni organizoi dhe ngjarje kushtuar luftës kundër korrupsionit. Në fjalimin e tij, kreu i Kuvendit Afrim Gashi korrupsionin e vlerësoi si një dorë e fshehur që vjedhë të drejtat dhe shpresën e njerëzve. Pikërisht për shkak të kësaj, tha se të rinjtë gjithnjë e më tepër braktisin vendin.
“Është fatkeqësi kur një vend arrin në atë pikë ku fjala politikë për shumë qytetarë për fat të keq asocon në fjalën korrupsion. Ky është indikator që nuk kemi të bëjmë më vetëm me një problem institucional por më shumë me një plagë në kulturën shoqërore, një mentalitet të rrënjosur ndër vite me abuzime dhe zhgënjime. Përballë kësaj gjendje nuk mjafton vetëm të reagojmë por mbi të gjitha ne të gjithë bashkë duhet të reflektojmë”, deklaroi Afrim Gashi – Kryetar i Kuvendit.
Komisioni Evropian në raportin e fundit nënvizoi se “komisioni është në dy mendje kur bëhet fjalë për zgjidhjen e rasteve të ndjeshme politike si dhe komunikimi i saj me opinionin nuk është i kënaqshëm”. Çuçul është pjesë e Antikorrupsionit për gati 20 vite. Paraprakisht ishte sekretar i përgjithshëm. Çuçul u zgjodh dje si kryetar i ri i Antikorrupsionit me mbështetjen e 82 deputetëve në Kuvend. Nevoja për zgjedhjen e një kryetari të ri në mes të mandatit erdhi pasi në verë të këtij viti u dorëhoq Tatjana Dimitrovska, e akuzuar për në rastin “Aditivët”. /Alsat.mk








