Çudia e radhës/ Sulmuesit e punëtorëve të Parkut “Mali Sharr” shpërblehen me mirënjohje dhe marrëveshje
Çudia e radhës/ Sulmuesit e punëtorëve të Parkut “Mali Sharr” shpërblehen me mirënjohje dhe marrëveshje
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Vetëm disa ditë pasi punëtorët e Parkut Kombëtar “Mali Sharr”, u sulmuan gjatë kontrollit të ratrakëve në të zezë në Kodër të Diellit, duke u lënduar një i punësuar, Drejtoria sot vendosi t’i shpërblejë sulmuesit me mirënjohje dhe firmosjen marrëveshjes për bashkëpunim.
Drejtori i Parkut Kombëtar Evzal Elmazi madje mohoi se njëri nga punëtorët ishte lënduar.
“Definivisht nuk lejonim dot që një operator të punoj ashtu, por duhej ta zbatojmë vendimin e bordit me të cilin nuk lejohet lëvizja e ratrakëve në institucionin që ne drejtojmë, pa marrëveshje përkatëse me parkun. Nuk ka pasur lëndime ndaj punëtorëve, e raportuam rastin edhe në MPB dhe që të mos krijohen shqetësime më të mëdha mora vendim pas dy orëve që të tërhiqemi dhe rastin ta paraqesim në polici. Tani pasi u nënshkrua marrëveshja me operatorin, ne morëm vendim të tre palët edhe me restorantin që bashkëpunon me operatorin, nënshkruam deklaratë që pas arritjes së marrëveshjes të bëjmë nismë në MPB për ta ndaluar kallëzimin penal për rastin”, tha Evzal Elmazi, Drejtor i Parkut Kombëtar “Mali Sharr”.

Por çka deklaroi policia në datë 16 janar.
“Drejtuesit e Parkut Kombëtar “Mali Sharr” ka denoncuar vepër penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, gjegjësisht se disa persona me ratrakë kanë tentuar të shtypin punonjësit e parkut, me ç’rast një person (rojtar) është goditur me pajisjen mekanike dhe ka pësuar lëndime”, thonë nga SPB Tetovë.
Ndryshe, Parku Kombëtar “Mali Sharr” nuk ka probleme vetëm me ratrakët për skijim dhe shëtitje nga operatorët privat, por një dëm tejet i madh parkut kombëtar i shkaktohet edhe nga motorët që lëvizin pa kontroll në këtë pjesë të Sharrit./ Alsat.mk








