David Raja ka përfunduar në fokusin e Bajern Munihut. Kampionët e Gjermanisë po kërkojnë për një portier, pasi Jann Zomer do të transferohet tek Interi në Serie A. Dhe një nga të preferuarit e bavarezëve është 27-vjeçari spanjoll, pjesë e Brentfordit në Premier Ligë prej vitit 2019. Edhe pse ka lindur në Barcelonë, Raja ka luajtur vetëm në futbollin anglez.
Me Blekburnin, Sauthportin dhe Brentfordin. Me këta të fundit ka zhvilluar performanca tepër pozitive, që sollën edhe debutimin e tij me kombëtaren e Spanjës gjatë marsit të vitit të kaluar. Në lidhje me transferimin e tij në Gjermani, foli trajneri i Brentfordit. Tomas Frank, i cili u shpreh se e mirëkupton lojtarin e tij. Gjithsesi, drejtuesit e klubit ishullor e kanë bërë të qartë se nuk e lejojnë largimin e portierit për më pak se 40 milionë paund.
“Unë mendoj se është e natyrshme që ai dëshiron të largohet nëse është një mundësi e mirë për të. Të gjithë ne mendojmë se shitja e Rayas është një ide e mirë, por duhet bërë me çmimin e duhur”.
Po shkojmë drejt një gjëje të tillë. Dhe le të fokusohemi te portierët e tjerë që kemi”, deklaroi tekniku danez, i cili mund të fillojë t’i besojë Thomas Strakoshës.
“Gardiani” i kombëtares kuqezi u transferua te Brentfordi vitin e kaluar. Por nuk ia ka dalë të fitojë garën për postin e titullarit me spanjollin. Dhe tani vjen Bajerni, që tenton firmën me Rajan, duke i dhuruar një “asist” portierit shqiptar.








