Debat i pafund për të bllokuar Kuvendin, opozita kërkon të dëgjohet zëri i tyre

Debat i pafund për të bllokuar Kuvendin, opozita kërkon të dëgjohet zëri i tyre

Gazetare: Fatlume Dervishi

VMRO-DPMNE-ja është e vendosur të bllokojë Kuvendin, edhe për ligje për të cilat më herët u janë pranuar amendamentet. i tillë është ligji për stabilitet financiar i cili në procedurë parlamentare ka qenë që nga shtatori i vitit të kaluar. Sipas opozitares, pushteti nuk mund të ofrojë stabilitet financiar tashmë që ka dëmtuar ekonominë me politikat e tij.

“Vlerësojmë se parashikimet për në fund të vitit do të jenë edhe më shqetësuese prandaj sa më shpejt u jepet mundësia qytetarëve për të zgjedhur ekip me serioz dhe më të afërt ekonomik i cili ka njohuri më të mira për financa dhe energjetikë aq më mirë për shtetin dhe për ekonominë”, tha Antonio Milloshoski, VMRO-DPMNE.

Në foltore mbajnë radhë deputetët e VMRO-DPMNE-së ndërkohë që LSDM-ja vazhdon të shpresojë se ligji në fjalë do të marrë edhe mbështetjen e tyre.

“Unë jam i bindur se për këtë ligj do të votoni “për” sepse nuk ka mënyrë tjetër se si të pengohet dhe të bllokohet ligj për të cilin deri sot, gjithçka që keni kërkuar, përfshirë edhe amendamentet tuaja, janë pranuar”, u shpreh Dime Vellkovski, LSDM.

Deputetët e opozitës do të jenë aty për të vazhduar bllokimin, thotë koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski. Ai kërkoi që Kuvendi të mundësojë kushte që opinioni të dëgjojë zërin e tyre. Kërkesa e tij vjen pasi një pjesë e qytetarëve nuk parën “zë” në ekranet e tyre deri sa ndiqnin seancën.

“Për momentin, pjesa më e madhe e qytetarëve shohin pamje por nuk dëgjojnë zë. Nëse ky është qëllimi kryesor i juaji që ta heshtni opozitën e keni gabuar strategjinë. Përfaqësimi i deputetëve është detyrim që e kemi edhe me Rregullore, edhe me ligj, edhe me Kushtetutë. Na bëni kushte që të funksionojmë. Deri dje ëeb-faqja ka qenë problem, e-parlamenti ishte problem. E kuptojmë se jemi në fazë riadaptimi por nuk mundet të mos ketë publik”, theksoi Nikolla Micevski, VMRO-DPMNE.

Kreu i Kuvendit Talat Xhaferi, si përgjigje, tha se gjithçka është në rregull nga Kuvendi dhe se problemi është te operatorët kabllor. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button