Debat për IA-në në arsim: Mundësi të reja dhe rreziqe të mundshme
Gazetare: Melihate Rustemi
Mësimdhënësit mbeten shtylla kryesore e sistemit arsimor dhe faktor vendimtar në formimin e gjeneratave të reja, pavarësisht zhvillimit të shpejtë të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Profesorët e informatikës vlerësojnë se mënyra se si mësuesit e transmetojnë dijen duhet të jetë e tillë që nxënësit të mos e shohin veten të zëvendësueshëm nga teknologjia. Në gjashtë muajt e fundit janë trajnuar rreth 1.300 mësues për përdorimin e inteligjencës artificiale në arsim.
“Ndoshta disa vende pune do të zhduken dhe do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale ose nga makinat, por thelbi qëndron te arsimi. Edukimi dhe mënyra se si ne duhet ta përdorim teknologjinë duhet të hapin vende të reja pune, të cilat nuk duhet të ndikojnë negativisht në funksionimin normal të shoqërisë në tërësi. Edukimi është rruga kryesore për t’u përballur me çdo sfidë apo revolucion të ri teknologjik”, tha Sasho Koceski, profesor.
“Mësuesit e shohin inteligjencën artificiale si një kërcënim në procesin arsimor për shkak të mundësive për keqpërdorim. Përmes trajnimit tonë ne deshëm t’u paraqesim të gjitha përparësitë që ajo ofron, mundësitë për përmirësimin e materialit dhe procesit mësimor, kuize dhe lojëra interaktive për nxënësit”, theksoi Branisllav Gerazov, profesor.
Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, tha se përfshirja e inteligjencës artificiale në jetën e përditshme të nxënësve dhe mësuesve duhet bërë me kujdes të shtuar dhe respektim të parimeve etike, duke pasur parasysh edhe rreziqet që sjell çdo teknologji e re.
“Pavarësisht se si zhvillohet teknologjia, dija është jashtëzakonisht e rëndësishme, por më e rëndësishmja nga të gjitha dhe rolin kyç e kanë mësuesit, të cilët meritojnë gjithë respektin dhe besimin tonë dhe shpresoj që ata do ta kryejnë funksionin e tyre edhe në raport me inteligjencën artificiale ashtu siç duhet”, u shpreh Vesna Janevska, ministre e Arsdiskutimimit.
Këto mesazhe u dhanë në panel diskutimin në kuadër të fushatës “Magjia është në dijen”, ku u diskutua për sfidat dhe mundësitë që sjell e ardhmja e arsimit./Alsat.mk.








