Debati Harris-Trump/ Përplasje për ekonominë, emigracionin por edhe shtrëngim duarsh
Debati Harris-Trump/ Përplasje për ekonominë, emigracionin por edhe shtrëngim duarsh
I nominuari i republikanëve për kandidat presidencial, Donald Trump, dhe kundërshtarja e tij demokrate, nënpresidentja Kamala Harris, morën pjesë në debatin e tyre të parë dhe mbase të fundit kur sondazhet po tregonin një garë të ngushtë kokë më kokë mes tyre. Ish-presidenti e nisi shumë mirë debatin, duke e kritikuar Harrsin për mënyrën se si administrata është marrë me ekonominë dhe emigracionin, me dy prej çështjeve më të rëndësishme për votuesit. Harrisi, e cila u duk e nevrikosur në fillim, filloi të ndihej rehat shumë shpejt kur tema u ndërrua dhe kaloi te aborti, pika e saj e fuqishme. Ajo e akuzoi Trumpin se ua ka mohuar liritë grave. Harrisi ia dha disa goditje të paharrueshme Trumpit në përpjekje për t’i shndërruar pikat e tij të forta në pika të dobëta. Ajo e akuzoi Trumpin se bëri marrëveshje të tmerrshme me talibanët para se SHBA-j të tërhiqej nga Afganistani, tha se presidenti rus Vlladimir Putin do ta “hante atë për drekë”, dhe se liderët e huaj “po qeshin” me të. Trumpi iu përgjigj duke e përshkruar Harrisin si një “marksiste”, duke e lidhur atë me presidentin Biden, dhe duke pyetur troç pse nuk i ka përmbushur planet e saj pas tri vjetëve në detyrë.
“Dikush që kujdeset për ju dhe nuk e vendos veten në radhë të parë. Unë synoj të jem president për të gjithë amerikanët dhe të fokusohem në atë që mund të bëjmë gjatë dhjetë dhe 20 viteve të ardhshme për të rindërtuar vendin tonë duke investuar te ju, populli amerikan”, deklaroi Kamala Harris, zv.presidente e SHBA-së.
“Pra, ajo sapo filloi duke thënë, ajo do të bëjë këtë. Ajo do të bëjë atë. Ajo do të bëjë të gjitha këto gjëra të mrekullueshme. Pse nuk e ka bërë atë? Ajo ka qenë atje për tre vjet e gjysmë. Ata kishin tre vjet e gjysmë për të rregulluar kufirin”, deklaroi Donald Tramp, ish-president i SHBA-së. /Alsat.mk