Gazetar: Mihaillo Donev
Dënim moral publik nga Oda e Mjekëve, për drejtorin e shkarkuar të klinikës së neurologjisë, Igor Kuzmanovski, pasi videoja e tij duke përzier pluhur të bardhë u shpërnda në rrjetet sociale. Sa i përket lëshimeve të mundshme etike në punën e tij deri më tani, nga Oda thonë se tani për tani nuk ka asnjë rast/lëndë kundër Kuzmanovskit, por do të presin raportet nga Ministria e Shëndetësisë para se të përcaktojnë situatën.
“Komisioni dërgon dënim moral publik për ngjarjen e Dr. Igor Kuzmanovskit. Kjo bëhet me qëllim të mbrojtjes së integritetit dhe reputacionit të profesionit mjekësor. Për të pasur një pasqyrë të sjelljes së tij etike, na duhen raporte nga komisioni i Ministrisë së Shëndetësisë dhe IPSH Klinika Universitare e Neurologjisë”, thonë nga Komisioni për Çështjet Etike dhe Ligjore në Odën e Mjekëve.
Më 9 nëntor u shfaq një video e Kuzmanovskit me pluhur të bardhë në një atmosferë shtëpiake në të cilën ai komentoi cilësinë e drogave, dhe vetëm disa ditë më parë, mjeku ishte marrë në pyetje në një stacion policor në Karposh pasi u raportua se kishte dërguar mesazhe verbale kërcënuese përmes telefonit një gruaje 54-vjeçare.
“Më 4 tetor 2025, në orën 20:00, një grua 54-vjeçare raportoi në SPB Shkup se që nga shtatori, I.K. nga Shkupi i kishte dërguar mesazhe kërcënuese me telefon. Me të u zhvillua një bisedë zyrtare në një stacion policie dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, do të dorëzohet një kallëzim adekuat”, deklaruan nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Nga Prokuroria për Alsat thanë se për momentin denoncimi për këtë ngjarje nuk u ishte dorëzuar ende, dhe policia njoftoi se do ta bënte këtë në periudhën e ardhshme. Më 10 tetor, Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu shkarkoi menjëherë Kuzmanovskin për videon kontroverse dhe vetë mjeku kërkoi falje në mediat sociale për sjelljen e tij. /Alsat.mk








