Dënime me burg për falsifikuesit e pasaportave

Për falsifikimin e pasaportave, u shqiptuan edhe aktdënimet e para. Pesë nga të akuzuarit, që ishin pjesë e grupit, që ka përpunuar 215 pasaporta me identitet të rremë, e pranuan fajin. Katër prej tyre morën dënim me burg. Njëri mori dënim me kusht:

Denis Barufi 2 vjet e 7 muaj
Alen Liçina 2 vjet e 3 muaj
Raif Miftari 2 vjet e 3 muaj
Gjorgji Velkov 2 vjet
Faruk Vilja dënimin me kusht me gjashtë muaj

Dënimi maksimal i paraparë për shpërdorim të detyrës ishte tre vjet. Përveç Miftarit, i cili nuk është pjesë e Ministrisë së Brendshme, katër punonjësit e tjerë morën ndalesë për ushtrimin e profesionit të tyre për 10 vitet e ardhshme. Para se të dëgjonin vendimin, të pandehurit thanë se pendohen që kanë kryer vepër penale.

Të akuzuarit, me qëllim që të fitojnë dobi materiale, kanë përpunuar dokumente të falsifikuara me krijim paraprak të identiteteve të dyfishtë, duke përdorur identitete të personave që s’kanë të drejtë ose asnjëherë nuk kanë kërkuar apo nuk kanë marrë dokumente të Maqedonisë. Veprimi i këtillë ka çuar deri në pasoja shqetësuese gjegjësisht dhënien e dokumenteve personave me dosje kriminale dhe persona që janë kërkuar me urdhër- arrest ndërkombëtarë – deklaroi Ola Ristova- gjykatëse.

Për lëshimin e pasaportave të rrejshme, të akuzuar janë gjithsej 11 persona. Pesë prej tyre tashmë janë të dënuar. Njëra nga të akuzuarat sot nuk u paraqit në gjyq për shkak të sëmundjes, por avokati i saj njoftoi se edhe ajo e pranon fajin. Mbetet të gjykohen pesë persona që vendosën të dëshmojnë se janë të pafajshëm. Për ta procesi vazhdon pasnesër. Aksionin “Sozia” MPB e ndërmori muajin e kaluar ku u arrestuan 10 nëpunës në MPB dhe një ndërmjetësues. Një ditë para se policia të arrestojë kolegët e tyre, VMRO-DPMN-ne me emrin kodues “Mafia” publikoi se kriminelë nga rajoni kanë marrë pasaporta të Maqedonisë. Vlerësimet e policisë janë se një pasaportë, kriminelët e kanë paguar deri më 20 mijë euro.

Bojan Stojanovski

LEXO EDHE:

Back to top button