Denoncim në Çair: Pretendohet mosintervenim i ambulancës, i moshuari ndërroi jetë
Gazetar: Avni Tahiri
E telefonoi ndihmën e shpejte në 194 për të kërkuar ndihmë mjekësorë për fqinjën e sëmurë por mori përgjigjën se nuk kanë automjete në dispozicion ndërsa pas 30 minutash fqinja ndërroi jetë. Kështu e përshkruan ngjarjen e djeshme Astrit Gashi. Ai thotë se një ditë më parë fqinjët kanë trokitur në derën e tij për të kërkuar ndihmë për nënën e sëmurë.
“Dje rreth orës 15:20 derisa isha duke pushuar në banesë dëgjoj trokitje të fortë në derë dhe dola. Fqinja ime tha ju lutem e kam nënën shumë të sëmurë a ka mundësi të na ndihmosh. Hyra në banesë e pash të shtrirë për toke, e ndihmova që të jetë në pozitë më të përshtatshme dhe diku rreth orës 15:28 minuta telefonova ndihmën e shpejtë në 194, operatori më thotë më falni por në këtë kohë nuk kemi vetura të lira pasi i kemi vetëm katër vetura. I tregova se pacienti është i moshuar dhe nëse nuk vjen ndihma me gjasë nuk mund të mbijetoj. Pas tre a katër minutash bisede nuk do vinin ndërsa pas 20 minutash ndërroi jete pacienti dhe kjo është shqetësuese”, deklaroi Astrit Gashi – Banor i Çairit.
Sipas Astrit Gashit, vdekjen e fqinjës së tij e kanë konstatuar familjarët, pasi sipas tij, ekipet e ndihmës së shpejtë nuk kanë arritur në vendngjarje pavarësisht thirrjeve të përsëritura për ndihmë.
Ndërkohë nga Ministria e Shëndetësisë thonë se thirrja e parë për ndërhyrje është pranuar dje në orën 15:26, pa u dhënë një adresë e saktë, por vetëm një numër telefoni për kontakt ndërsa nga kontakti shtesë i ndihmës së shpejtë për përcaktimin e adresës në ora 15:35, thonë se një anëtar i familjes ka informuar se pacientja kishte ndërruar jetë.
“Sipas informacioneve nga Ndihma e Shpejtë, thirrja për ndërhyrje është pranuar në orën 15:26, pa u dhënë një adresë e saktë, por vetëm një numër telefoni për kontakt. Në orën 15:35, nga Ndihma e Shpejtë është realizuar kontakt shtesë telefonik me qëllim të përcaktimit të adresës së saktë për ndërhyrje, me ç’rast një anëtar i familjes ka informuar se pacientja kishte ndërruar jetë”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë.
• Thirrja për ndërhyrje është pranuar në orën 15:26, pa u dhënë një adresë e saktë
• Në orën 15:35, një anëtar i familjes ka informuar se pacientja kishte ndërruar jetë.
Nga Ministria e Shëndetësisë shtojnë se tashmë po punohet për forcimin sistematik të shërbimit të Ndihmës së Shpejtë dhe shtojnë se në fazën përfundimtare është edhe procesi për furnizimin me 100 autoambulancave të reja, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm kapacitetin e sistemit shëndetësor për t’iu përgjigjur situatave emergjente./Alsat.mk.








