Denoncime të shumta të qytetarëve për shërbimet e dobëta shëndetësore

Denoncime të shumta të qytetarëve për shërbimet e dobëta shëndetësore

Gazetar: Adnan Qaili

Brenda një viti janë bërë 157 denoncime të qytetarëve kundër shërbimeve të dobëta shëndetësore në sektorin publik dhe atë privat. Komiteti Helsinkit për të drejtat e njeriut shpalosi raportin, ku thonë se prej tyre kanë proceduar 93 raste, kurse 64 raste pas denoncimit janë tërhequr për arsye të caktuara. Në kuadër të projektit “Shkeljet e të drejtave të njeriut në fushën e kujdesit shëndetësor”, pas thirrjes për ndihmë juridike nga organizatat e shoqërisë civile, një qasje e përbashkët dhe e sistemuar nxori në pah se 4 lëndë janë proceduar në Prokurori me dyshimet për kryerje të veprave penale.

“Shumica e denoncimeve janë për shkelje e të drejtave të njeriut në mos dhënien e shërbimeve shëndetësore, mos dhënia e barnave adekuate dhe mënyra e kurimit si dhe mos ofrimi i kushteve higjienike përgjatë ekzaminimeve mjekësore nëpër spitale. Në bashkëpunim me Komitetin e Helsinkit dorëzuam 4 vërejtje te institucionet përkatëse, si në Odën e Mjekëve, Ministrinë e Shëndetësisë, Avokati i Popullit dhe Komisionin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi. Janë dorëzuar edhe 4 paraqitje për ekzistimin e dyshimeve të bazuara për kryerje të veprave penale në Prokurorinë Themelore Publike”, deklaroi Vesna Dishlievska, Shoqata e Juristëve të rinj.

As mjekët e pranishëm nuk deshën, të flasin për raste konkrete, siç ishte humbja e jetës së pacientes 6 vjeçe nga Manastiri. Por, thonë se në këtë raport janë përfshirë më shumë ankesa nga sektori i infektives, gjinekologjik dhe alergologjik.

“Sistemi shëndetësor i vendit me dekada ballafaqohet me probleme serioze që rezultojnë me shërbime problematike që marrin qytetarët. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë çdo pacient e ka të drejtën të merr shërbimin adekuat shëndetësor, por për fat të keq vendi ynë nuk është Skandinavi dhe qytetarët tanë nuk marrin çdo herë shërbimet më të mira shëndetësore në qendrat klinike e aq më pak në periferi”, u shpreh Nikolla Brzanov, Themelues nga Klubi i Mjekëve të rinj.

Dokumenti është përgatitur me mbështetjen financiare të Agjencisë Suedeze për Zhvillimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar e mundësuar përmes fondacionit “Rrjeti Ballkanik për Zhvillimin e Shoqërisë Civile”. Duke qenë se interesi publik për këtë temë ka arritur kulmin e tij pas publikimit të dokumentarit investigativ të Laboratorit të Raportimit Investigativ (IRL) “Gjaku i papastër” në pah dolën gjetje nga hulumtimet e përmbledhura në Raportin e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button