Denoncimet e rrejshme për bomba, protestojnë nxënësit e gjimnazit të Tetovës
Denoncimet e rrejshme për bomba, protestojnë nxënësit e gjimnazit të Tetovës
Gazetar: Bashkim Sulejmani
Qindra nxënës të gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, të mbështetur edhe nga profesorët dhe stafi teknik i Shkollës protestuan para SPB-së së Tetovës për të shprehur revoltën e tyre kundër, siç thonë, maltretimit që iu bëhet atyre me paralajmërimet e rrejshme për bomba.
“Si rrjedhojë e dukurisë me paraqitjet e bombave, dukuri e cila ka ndodhur tetë herë me radhë në shkollën tonë dhe që paraqet një indikator të rënies së mbarëvajtjes së mësimit, e me këtë barra bie kryesisht mbi nxënësit, andaj kërkojmë nga organet kompetente të marrin masa të menjëhershme dhe serioze për mbarëvajtje afat gjatë të mësimit dhe jo për përsëritjen e këtyre dukurive në të ardhmen”, tha një nxënës.
“Protestojmë për alarmet e bombave që bëhen në shkollën tonë, vërtetë na kanë lodhur është e tepër dhe po eskalon çdo gjë, jemi të lodhët nga kjo situatë”, u shpreh një tjetër nxënës.
“Sot kemi ardhur për të protestuar para policisë për alarmet me bomba, se na kanë lodhur më çdo ditë hyn e dil në shkollë, nuk mund të mbajmë mësim”, theksoi një nxënës.
Drejtori i shkollës, thotë se përkundër kontrollit, policia nuk i jep leje për t’i kthyer nxënësit në Shkollë.
“Kjo më nuk është bojkot mësimi por revoltë e jashtëzakonshme e nxënësve prindërve arsimtarëve dhe imja personalisht. Kjo më është e padurueshme dhe e pa tolerueshme. Nuk ka asnjë përgjigje nga MPB, SPB Tetovë nuk është se jep ndonjë përgjegjësi apo llogari, megjithatë njerëzit e anti terrorit që duhet të vijnë për kontroll nuk vijnë. Vazhdimisht presim dhe na lënë përgjegjësinë neve pasi kryejnë kontrollin, dhe përgjigjja e vetme që na kthejnë është e keni ju përgjegjësinë të vendosni a do i leni nxënësit brenda apo jo”, deklaroi Jeton Kamberi, drejtor i Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” Tetovë.
Edhe pse sot ishte alarmi i tetë i rrejshëm brenda një muaji, drejtuesit e Shkollës thonë se kanë kërkuar sigurim 24 orësh nga policia por nuk kanë marrë përgjigje. /Alsat.mk








