Partia e Ivan Stoilkoviqit glorifikon kriminelin e dënuar për gjenocid Ratko Mlladiq
Gazetar: Suad Bajami
Një lutje fetare në shtëpinë legjislative të udhëhequr nga Afrim Gashi, në ditën përkujtimore të masakrës së Srebrenicës bëri bujë të madhe para dy vitesh dhe pati reagime të ashpra nga faktori politik për shkeljen e sekularitetit të shtetit. Por, dy vjet më vonë, çështja e Srebrenicës ka rikthyer debatin mes partive dhe qytetarëve, pas vdekjes në Hagë të gjeneralit të serbëve të Bosnjës Ratko Mlladiq, i cili ishte i dënuar nga gjykata ndërkombëtare për gjenocidin në Serbrenicë dhe krime kundër njerëzimit.
Partia Demokratike e Serbëve të Maqedonisë, e udhëhequr nga Ivan Stoilkoviq, e cila është në koalicion qeveritar me VMRO-DPMNE-në, VLEN-in dhe ZNAM-in, në Facebook u është bashkuar zërave glorifikues të kriminelit Mlladiq, për të përcjellë me nderime të larta shtetërore. Qëndrimin e kanë bërë publik, duke shpërndarë në shkrim të Tatjana Domazet, një bashkëpunëtore profesionale e Bibliotekës Kombëtare të Beograti, e cila ia jep lamtumirën Mlladiqit, duke theksuar se vepra e tij ka lënë gjurmë.
Me elozhe përshëndeten edhe dhjetëra komentues në publikim, duke e madhëruar kriminelin e dënuar për vrasjen e civilëve, me epitete të heroit.
Që ironia të jetë më e madhe edhe drejtori i Agjencisë Realizimin e të Drejtave të Komuniteteve Dalibor Kitnoviç i cili gjithashtu vjen nga partia e Stoilkoviqit, në profilin e tij të Facebookut ka shpërndarë një fotografi heroizuese për Mlladiqin. Në posterin me karakter nacionalist, shkruan “Për kryqin e shenjtë dhe lirinë e artë”, ndërsa Mlladiqi i rrethuar nga figura të tjera ushtarake serbe portretizohet si figurë patriotike.
Fryma e këtillë në vazhdimësi është përhapur nga partia e Stoilkoviqit, i cili madje në vitin 2025 e solli në Shkup Millorad Dodikun e Republikës Serbe. Ardhja e tij bëri bujë të madhe, e aq më shumë fjalimi i tij skandaloz anti vlerave të Bashkimit Evropian e pro Rusisë, ndërsa mohonte krimet dhe gjenocidin e Serbisë në luftërat e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë.
Pavarësisht incidentit, nuk pat asnjë përgjegjësi për partinë serbe apo Stoilkoviqin nga ana e Qeverisë, pavarësisht alarmit dhe shqetësimit të qytetarëve, por edhe të partnerit shqiptar VLEN.
Ndërkohë që partia serbe mohon gjenocidin, krerët e VLEN-it së bashku me komunitetin boshnjak edhe këtë 11 korrik përkujtojnë Srebrenicën, jo vetëm në Kuvend, por edhe në Memorialin e Srebrenicës në Parkun e Çairit. /Alsat.mk.








