Qindra të vdekur dhe mijëra të zhdukur pas përmbytjeve masive në Nepal
Ushtria në Nepal ka vazhduar operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa vendi përballet me pasojat e një prej katastrofave më të rënda natyrore të viteve të fundit. Të paktën 633 persona kanë humbur jetën në Nepal, ndërsa shtatë të tjerë kanë vdekur në Tibet të Kinës, pas përmbytjes masive që goditi zonën kufitare të mërkurën. Sipas autoriteteve, afro 3 mijë persona rezultojnë ende të zhdukur. Mes të zhdukurve janë edhe rreth 540 shtetas të huaj, shumë prej tyre pelegrinë hindu nga India.
“Vëllai im mund të jetë i bllokuar brenda zonës së tunelit të hidrocentralit Upper Trishuli 1. Nuk e di në çfarë gjendje është tani, nëse është gjallë apo i vdekur”, tha Priti Karel, Familjare e një personi të zhdukur.
“Nuk kisha asnjë shpresë se do të mbijetoja brenda tunelit. Shpëtova për një fije. Tani nuk më ka mbetur asgjë përveç dy ose tre palë rrobave. Nuk kam më asgjë”, theksoi Puran Tamang, I shpëtuar.
“Nuk e di si arrita të mbijetoja brenda në tunel. Ndërsa po dilnim prej andej, shumë njerëz kishin vdekur brenda tunelit”, thotë Buddhi Tamang, I shpëtuar.
Nepali ka kërkuar ndihmë të specializuar ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm tha se vendi ka nevojë për ekspertizë për nxjerrjen e personave të bllokuar në tunele, hapjen e rrugëve dhe linjave të komunikimit, identifikimin e viktimave, testet e ADN-së dhe ruajtjen e trupave./Alsat.mk.








