Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti takoi në Prishtinë shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut
Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit, Medvegjës e Sanxhakut u bënë sot pjesë e një tryeze diskutimi në Prishtinë, ku u ngritën shqetësimet për diskriminimin institucional dhe bllokimin e fondeve të tyre. Në takim me përfaqësues politikë e organizata civile nga këto treva, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se për Kosovën mbështetja ndaj shqiptarëve të këtyre trevave është përgjegjësi e vazhdueshme. Kurti u ndal edhe te vizita e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq në këto zona, duke e cilësuar si tregues të klimës me të cilën përballen shqiptarët atje.
“Shtypja nga shteti i Serbisë nuk shihet vetëm në statistika. Shihet edhe në gjuhë, shihet në sjellje, shihet në mënyrën se si reagon shteti. Pikërisht një javë më parë, kur presidenti i Serbisë, Vuçiq, vizitoi vetëm vendbanimet me shumicë serbe në Medvegjë, në Bujanoc dhe në një fshat të Preshevës, duke përdorur gjuhë stigmatizuese e denigruese ndaj shqiptarëve, dhe më pas është dëgjuar premtimi nga Vuçiqi për punësim nga BIA për 48 orë. Dhe ky kontrast është i rëndë. Kur shqiptari kërkon punësim në institucionet publike, përballet me barriera dhe nënpërfaqësim”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë.
Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj asaj që e cilësoi si diskriminim sistematik. Ai tha se Kosova do të vazhdojë ta dokumentojë dhe ndërkombëtarizojë këtë çështje, në mënyrë që ajo të adresohet edhe në Bruksel, Uashington dhe Strasburg.
“Nuk mjafton që një shqiptar nga Presheva të trajtohet mirë në Prishtinë, duhet të ketë të drejta edhe në Preshevë. Nuk mjafton që një student nga Bujanoci të ketë sukses në Kosovë, duhet të ketë prespektivë edhe në Bujanoc. Nuk mjafton që një mjek nga Medvegja të licencohet në Kosovë, duhet të ketë mundësi të punojë me dinjitet në profesionin e vet edhe atje, në Medvegjë. Nuk mjafton që një i ri nga Pazari i Ri të ndjekë kurset e gjuhës shqipe këtu, duhet ta ketë edhe mundësinë ta ruajë, ta afrojë, ta gjallërojë identitetin e vet kombëtar atje”, theksoi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës në detyrë.
Kurti tha se mbështetja për shqiptarët e këtyre trevave duhet të jetë e vazhdueshme dhe e shoqëruar me mekanizma konkretë institucionalë e buxhetorë./Alsat.mk.








