Mungojnë rojet e plazhit në Ohër dhe Strugë, interesimi i kandidatëve mbetet i ulët

Gazetar: Miki Trajkovski

Viteve të fundit është ulur interesimi i të rinjve për të punuar si roje plazhi, edhe pse bëhet fjalë për profesion që është më se i nevojshëm në pikat turistike. Këtë vit, nga 22 kandidatë për roje plazhi nga Ohri dhe Struga, vetëm 15 prej tyre e përfunduan me sukses kursin.

“Interesi mund të thuhet se pothuajse nuk ekziston fare si dëshirë për t’u bërë roje plazhi. Të gjithë të rinjtë përpiqen të largohen jashtë vendit dhe të mos qëndrojnë të punojnë këtu, kështu që, kjo mund të jetë edhe arsyeja. Për mua, në Maqedoni, kjo është punë shumë e bukur, sepse e dua profesionin dhe prandaj zgjodha këtë rrugë. Nuk e ndiej si punë, për mua kjo është mision”, tha Arsenij Gjorsheski – roje plazhi.

Bëhet fjalë për profesion që mbart me vete përgjegjësi të madhe, ndërsa rojet e ardhshme të plazhit pajisen edhe me licencë sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare.

“Situata është e njëjtë kudo. Edhe në Kroaci kemi problem, ata kërkojnë roje plazhi nga ne, po ashtu edhe në Bosnjë. Kudo ku ka vende për larje, kanë problem me numrin e nevojshëm të rojeve të plazhit. Kemi në Greqi, Itali, kudo situata është e njëjtë”, theksoi Sasho Toçkov – Kryqi i Kuq i Ohrit.

Por një pjesë e rojeve të plazhit që ndër vite kanë kaluar këto trajnime, në vend që të qëndrojnë këtu, tashmë punojnë në plazhe, pishina ose parqe ujore jashtë vendit.

“Ka roje plazhi që i njoh dhe që tashmë janë në Amerikë dhe punojnë si roje plazhi në pishinat amerikane”, thotë Arsenij Gjorsheski – roje plazhi.

“Secili ose do të punësohet në ndonjë kompani apo institucion, ose do të shkojë jashtë vendit për punë tjetër. Ka edhe roje plazhi që janë larguar për të ardhura më të larta, edhe pse kompensimet mujore që marrin rojet e plazhit janë më se solide,” tha Sasho Toçkov – Kryqi i Kuq i Ohrit.

Në Strugë, këtë verë, vetëm në dy lokacione ka roje plazhi, ndërsa në Ohër, në vetëm 12 plazhe janë angazhuar gjithsej 15 roje plazhi. Kjo gjendje vjen edhe si pasojë e interesimit të ulët të menaxhuesve të plazheve për angazhimin e rojeve të plazhit. Kapaciteti aktual i Qendrës për Siguri në Ujë është 28 roje plazhi, ndërsa nevoja është për më shumë se 50 roje plazhi./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button