Departamenti i Shtetit ndalon hyrjen në SHBA të një zyrtari dhe një ish-zyrtari të Bosnje-Hercegovinës
Po të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit u ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari dhe një ish-zyrtari të Bosnje Hercegovinës, duke përmendur si motivacion “përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Departamenti i Shtetit shpalli përcaktimin publik për korrupsion përish-presidentin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje-Hercegovinës Milan Tegeltija dhe Presidentin e Lëvizjes për Veprim Demokratik dhe Përfaqësuesin e Asamblesë Parlamentare Mirsad Kukiç.
“Veprimet e tyre minuan sundimin e ligjit, besimin e publikut në institucionet demokratike dhe proceset publike të qeverisë së tyre, si dhe paqen dhe prosperitetin për qytetarët e Bosnje-Hercegovinës”, thuhet në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit.
Përcaktimet e Kukiç, një mysliman i Bosnjës dhe zotit Tegeltija, serb i Bonjës, janë bërë sipas nenit 7031(c) të Aktit të Departamentit të Shtetit, për Operacionet e Jashtme të vitit 2021.
“Në cilësinë e tij zyrtare si Kryetar i KLP-së, Tegeltija ishte i përfshirë në akte korruptive që përfshinin përdorimin e ndikimit të tij politik dhe pushtetit zyrtar për përfitimin e tij personal. Konkretisht, ka informacione të besueshme se Tegeltija ka përdorur pozicionin e tij për të kërkuar përfitime në këmbim të ndërhyrjes në një proces gjyqësor, si dhe manipulimit të emërimeve në drejtësi dhe punësime të tjera publike”, thuhet në njoftim.
Në cilësinë e tij zyrtare si menaxher i minierës së Banovicit në pronësi publike dhe si Përfaqësues i Asamblesë Parlamentare, Kukiç u përfshi në “akte korruptive ku përdori ndikimin e tij politik dhe pushtetin zyrtar për përfitimin e tij personal. Konkretisht, ka informacione të besueshme që Kukiç ka përvetësuar fondet publike për përfitime personale dhe ka ndërhyrë në vendimet e punësimit dhe emërimit për të përfituar politikisht”, vazhdon njoftimi.
Departamenti i Shtetit ndaloi nga hyrja në SHBA edhe bashkëshorten e Tegeltija, Tijana Tegeltija.
Blinken thotë në deklartën e tij se vepprimet e Departamentit të Shtetit dhe atij të Thesarit për zotin Dodik, “riafirmojnë përkushtimin e SHBA për sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje-Hercegovinës, sundimin e ligjit dhe institucionet demokratike dhe një të ardhme më të mirë për qytetarët e vendit”.
Sipas Sekretarit të Shtetit, qeveria amerikane mund të ndërmarrë veprime të ngjashme ndaj drejtuesve të tjerë dhe subjekteve të lidhura me aktorë të korruptuar ose destabilizues.







