Deponia “Rusino” nuk fillon punë para muajit prill

Edhe pse u paralajmërua për në janar, ndërmarrja e përbashkët që do menaxhojë me deponinë Rusino nuk do fillojë me punë të paktën deri në prill. Në terren nuk kanë filluar ende punimet për vendosjen e peshores për matjen e kamionëve, pasi komunat do të paguajnë varësisht nga sasia e mbetjeve që do të hedhin në deponi. Drejtori i Ndërmarrjes së përbashkët të Pollogut Besim Dogani, thotë se vonesat kanë ndodhur për shkak të festave por as komunat nuk i kanë bërë pagesat.

“Komunat e kanë ende të ndaluar të hedhin mbeturina në Rusino sepse paraprakisht duhet kryer disa procedura të cilat u vonuan për disa arsye. Sa i përket pjesës së dokumentacionit, ne të gjitha i kemi përpiluar, duke filluar nga statuti, sistematizimi, dokumentet përcjellëse programi për punë, programi për furnizime publike tjera. Gjithçka do varet tani nga shpejtësia e komunave në shpërndarjen e mjeteve që i kanë marrë si obligim- deklaroi Besim Dogani, Drejtor i Ndërmarrjes së Pollogut për menaxhim me Rusinon.

Në buxhetet e komunave, është e paraparë të bëhet pagesa e mjeteve për ndërmarrjen e përbashkët, por një pjesë e tyre, mjetet do i lëshojnë nga fundi i muajit të ardhshëm. vonesën në lëshimin e mjeteve, e arsyetojnë  me festat e fundvitit, por edhe me vonesat në miratimin e buxheteve të tyre, nga ana e ministrisë së Financave.

“Në bazë të planit të paraparë dhe marrëveshjes së arritur mes komunave të rajonit të Pollogut, komuna jonë detyrimet e saja që janë të parapara mendon t`i realizojë me fillimin e muajit mars- tha Ibrahim Mamuti, Komuna e Vrapçishtit

Financuesit më të mëdhenj të kësaj ndërmarrjeje por njëkohësisht edhe shfrytëzuesit më të mëdhenj të saj, janë komuna e Tetovës dhe ajo e Gostivarit, të cilat duhet të ndajnë rreth 200.000 euro, ndërsa komunat e tjera, shumën e participimit e kanë të llogaritur për kokë banori. Deri tek ujdia për themelimin e një ndërmarrjeje të përbashkët dhe krijimin e një deponie të përbashkët për Pollogun, erdhi si pasojë e krijimit të deponive jolegale në thuajse secilën komunë.

 

Bashkim Sulejmani

LEXO EDHE:

Back to top button