Dështojnë përpjekjet e Vetëvendosjes dhe LDK-së për marrëveshje për presidentin e Kosovës
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku dështuan të arrijnë marrëveshje për çështjen e presidentin e ri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha se Abdixhiku nuk i ka pranuar ofertat e tij për një marrëveshje. Ai tha se LDK-së i ka ofruar zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri Ministri të tjera. Në një ofertë tjetër, Kurti tha se ia ofroi LDK-së edhe postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“Më duhet të them se bisedimet ishin të pasuksesshme sepse asnjëra nga ofertat tona nuk u pranua nga kreu i LDK-së”, deklaroi Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku tha se nuk do te takohet më me Kurtin, pasi nuk janë pajtuar dhe sipas të gjitha gjasave vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja. Sipas tij, presidenti nuk duhet t’i takojë LVV-së.
“Kurti më ofroi bashkëqeverisje, katër ministri dhe postin e zëvendëskryeministrit, por postin e presidentit t’i takojë LVV-së. Ai po ashtu ofroi ndërrim të pozicioneve me kryetarin e Kuvendit”, tha Lumir Abdixhiku, Kryetar i LDK-së.
Pas dështimit të bisedimeve me LDK-në, Kurti tha se i ka shkruar kryetarit të PDK-së, për një takim të mundshëm. I pyetur nëse do t’i bënte ndonjë ofertë të ngjashme edhe PDK-së, Kurti nuk deshi të tregojë, por shtoi se “oferta për bashkëqeverisje që u ofrua për LDK-në ka qenë ekskluzive për LDK-në”.
Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende./Alsat.mk.








